E Diel, 1 Nëntor 2026

Folku i pakicave kombëtare në Festivalin Ndërkombëtar “Balkan trafic”

Koordinatorët shqiptarë dhe të huaj të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit “Balkan trafic”, kanë qenë ditën e shtunë të pranishëm në Gjirokastër, për të bashkëbiseduar me grupe të ndryshme folklorike të zonës së Jugut. Festivali Ndërkombëtar i Folkut “Balkan trafic” organizohet në Belgjikë me financimet e Këshillit të Europës, dhe këtë vit shënon edicionin e shtatë të tij. Në skenën artistike të këtij festivali janë ngjitur edhe grupe të ndryshme nga Shqipëria, të cilat kanë prezantuar kryesisht folkun e pakicave kombëtare në vendin tonë. Sipas koordinatorit Niko Mihali, “në edicionin e shtatë të këtij festivali, i cili do të zhvillohet pas disa javësh në Belgjikë, krahas grupeve të ndryshme nga Ballkani do të marrin pjesë edhe artistët popullorë të zonës së Dropullit, si dhe një grup folklorik i pakicës egjiptiane nga qyteti i Beratit”. “Megjithëse kam pak orë që kam mbërritur në vendin tuaj, sërish shikoj që ka vlera të veçanta për sa i përket folklorit dhe trashëgimisë kulturore. Mendoj se pjesëmarrja e grupeve nga Shqipëria në festivalin tonë do të ishte me mjaft interes, pasi do të bënte të mundur jo vetëm prezantimin e këtyre vlerave, por do të zgjeronte edhe më shumë informacionin për Shqipërinë. Mbi të gjitha, këto vlera të folkut dhe të trashëgimisë kulturore mund të jene tërheqëse edhe për turistë të ndryshëm nga Belgjika, të cilët do të kërkojnë të vizitojnë vendin tuaj”, - thotë koordinatorja nga Belgjika, Natacha Bekaert. E veçanta e edicionit të shtatë të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit “Balkan trafic” është se posteri prezantues i tij do të realizohet me imazhe nga qytetet e Gjirokastrës dhe Beratit.

Bledar Shehu

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›