E Diel, 1 Nëntor 2026

“Foltorja” e PD/ Kalaja: Kruja një qytet fantazmë, ia hoqën të gjitha

Gjatë “Foltores” së Partisë Demokratike në Krujë, mes folësve ishte edhe gazetari dhe aktivisti Aulon Kalaja.

Ai bëri një panoramë të zymtë të situatës në Krujë dhe zonat përreth duke e përshkruar situatën si një “katastrofë”.

“Dua të falenderoj secilin nga ju emër për emër për një kontribut të jashtëzakonshëm që keni dhënë në zgjedhjet e 11 majit. Kruja arriti rezultat historik, një fitore në Bashkinë e Krujës, edhe ju e keni bërë këtë fitore. Kruja nuk ka njerëz mbas orën 5:00 mbasdite, nuk ka as gra, as fëmijë, as pleq. Shkolla e Berberës, një shkollë dikur me 300 fëmijë, e mbyllur. Nga Kruja kanë larguar gjykatën, prokurorinë, kanë larguar zyrat e ADISA-s, hipotekën, ALUIZNI-n, kanë larguar çdo institucion të mundshëm.

Malësia e Krujës, një vend totalisht i rrënuar, pa njerëz. Sipas censusit të Edi Ramës 48% ikje, sipas të dhënave që ne kemi, 65% të larguar nga Mafsheqi, nga Rranza, nga Cudhi Zall, Qafë Shtama dhe të gjithë fshatrat e tjera të Malësisë së Krujës, që ka gjithsej sot vetëm 10 kullota. Kjo është një katastrofë që ka ndodhur me rrethin e Krujës.

Fushë Kruja me infrastrukturë të rrënuar, rruga e Gramzës e prishur, unaza e Fushë Krujës, rruga e Luzit, Thumana e shkatërruar, shkolla e Mallkuçit e mbyllur, 9 kilometra nga aeroporti i Rinasit, ta mendoni. Dhe meqë jemi në Rinas, u kap dhe laboratori i drogës. Kjo është qeveria që ne kemi. Prandaj qytetarët e Krujës kësaj radhe i dhanë një përgjigje shumë të fortë qeverisë socialiste me një votë plebishitare kundër, duke arritur një rezultat historik, janë bastione që janë thyer mbas 18 vitesh dhe kjo është vetëm si pasojë e punës tuaj”, tha Kalaja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›