E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Fondi Social 2025, bashkia e Shijakut mbështetje fëmijëve me aftësi të kufizuara

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Bashkia e Shijakut, fituese e mekanizmit të Fondit Social 2025 do të mbështesë fëmijët me aftësi të kufizuara.

Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana tha sot se “aplikuam për këtë fond që do të shkojë për fëmijët me Aftësi të Kufizuara, për shërbime të reja që i kanë të nevojshme, për shërbime lëvizëse etj.”.

“Ky rezultat erdhi pas një pune të shkëlqyer të stafit të bashkisë për këtë aplikim, me ide të qarta për t’i ardhur në ndihmë këtyre fëmijëve, për t’ua lehtësuar sadopak të përditshmen dhe prindërve të tyre”, theksoi Arbana.

Gjatë aktivitetit të djeshëm “Fondi Social dhe Partneriteti me Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore”, me pjesëmarrjen e 61 drejtuesve të pushtetit vendor, u nënshkruan marrëveshjet e bashkëpunimit mes Shërbimit Social Shtetëror dhe 11 kryetarëve të bashkive.

Në fjalën e saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu nënvizoi se në 2025-ën, shërbimet do të shtrihen nga Malësia e Madhe, në Finiq.

Në kuadër të Thirrjes së Gjashtë të Fondit Social, janë regjistruar 34 aplikime nga bashkitë për ngritjen e shërbimeve të reja ose për zgjerimin e atyre ekzistuese. Për herë të parë, në kuadër të mekanizmit të Fondit Social, përfitojnë bashkitë Shijak, Finiq, Kuçovë, Vorë, Krujë, Pustec, Divjakë, Përmet.

Fondi Social do të mbështesë edhe bashkitë Elbasan, Vlorë dhe Durrës që kanë përfituar edhe më parë, ndërsa tashmë po zgjerohet edhe gama e shërbimeve të tyre.

Deri në vitin 2024, 33 mijë individë përfituan nga 73 shërbime, ndërsa në vitin 2025 kjo shifër do të arrijë në rreth 45 mijë përfitues, nga 84 shërbime.

/k.s//a.f//r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›