Forca e Sigurisë së Kosovës largon mjete kimike nga depot e RTK-së

Prishtinë, 28 Gusht 2010 NOA - Njësia e Mbrojtjes Kimike Atomike Biologjike (MKAB) e FSK-së, zhvilloi një operacion real, largimin e disa mjeteve dhe preparateve të rrezikshme kimike nga depot e Radio Televizionit të Kosovës (RTK-së), të cilat kanë qenë jashtë përdorimit pasi që metodat e përpunimit dhe të zhvillimit të materialeve për filmime, kishin avancuar në aspektin e teknologjisë më të avancuar.
Kjo njësi është e specializuar për intervenime të tilla, prandaj operacionit të
sotëm i kanë parapri një varg aktivitete të studimit dhe të vlerësimit real të
gjendjes në të cilën ndodheshin këto materiale, të cilat ndodheshin aty, që nga
vitet e 70-dhjeta.
Përgatitjet kanë shkuar sipas agjendës së paraparë dhe në bashkëpunim me
institucionet e tjera, si: KFOR-n, RTK-në dhe Institutin Kosovar për Hulumtime
(IKOS), është arritur në përfundim se këto mjete duhen së pari të
riamballazhohen dhe më pastaj të dërgohen në një vend më të përshtatshëm dhe të
sigurt për ruajtjen e tyre.
Vlen të ceket se i gjithë ky material që u largua sot nga depoja e RTK-së, nuk paraqet ndonjë rrezik për mjedisin ku është vendosur tani, mirëpo vendi ku ka qëndrua deri më tani ka qenë jo i përshtatshëm dhe ka penguar në punët dhe aktivitetet ditore të punëtorëve të RTK-së.
Gjatë fillimit të këtij operacioni, vendin dhe objektet ku zhvillohej ky aktivitet e vizitoj edhe komandanti i Brigadës së Mbështetjes Operacionale të KFT-së, gjeneralbrigade Imri Ilazi me bashkëpunëtor si dhe stafi udhëheqës i RTK-së.
Gjeneral Ilazi më këtë vizitë inkurajoj pjesëtarët që po kryenin këtë operacion duke i përgëzuar për punën e madhe që ka bërë ky njësit, jo vetëm tani, por në vazhdimësi, thuaje se që nga themelimi i FSK-së.
Ai gjithashtu falënderoi të gjithë aktorët që ishin të përfshirë në këtë projekt për bashkëpunimin dhe koordinimin e mirë që kanë bërë gjatë gjithë kohës.
Ju po jepni edhe një shembull të mirë për të
gjithë qytetarët dhe institucionet e Republike së Kosovës, se jeni të përkushtuar
dhe të përgatitur mirë në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve që i kemi si
një institucion i rëndësishëm i Kosovës, - tha Ilazi.
Fjalë miradije për punën e pjesëtarëve të FSK-së, shprehen edhe drejtuesit e
RTK-së, si dhe përfaqësuesit e KFOR-it, të Grupit Luftarak-Qendër. Ishte shumë
inkurajues fakti se kjo njësi arriti për një afat rekord të largon nga kjo depo
e RTK-së, 2900 kilogram mjete të ngurta kimike dhe 440 litra mjete të
lëngëta.
Kompania e MKAB-së numëron për momentin 55 pjesëtarë aktiv të cilët janë të përgatitur shumë mirë, më çka e dëshmon edhe angazhimi i tyre në më shumë se 37 inspektime, kontrolle dhe operacione të tjera, që nga aktivizimi i pjesshëm i kësaj njësie.
a.b/NOA