E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Formula 1, FIA miraton ndryshime milimetrike duke “acaruar” ekipet

Vetëm pak ditë nga starti i Botërorit të Formula 1, FIA ka miratuar një ndryshim në rregullore duke bezdisur jo pak skuadrat e vogla. Sipas ndryshimit më të fundit veturat e Formula 1 do të jetë 15 milimetra më lart nga asfalti se ç’ishin më parë. Ka mjaftuar ky modifikim në rregullore që disa drejtues skuadrash të japin mendimet e para mbi impaktin e këtij ndryshimi në gara.

Drejtori teknik i skuadrës “Alfa Romeo Racing” konfirmoi se ky ndryshim nuk i ka ardhur në ndihmë “arkitektëve” të veturës të re. “Duke vendosur ngritjen me 15 milimetra nga toka të veturave, FIA na detyroi që të rivizatonim fundin dhe bishtin e makinës. Edhe pse mund të duket një numër shumë i vogël ka një impakt të madh. Zakonisht ndryshimet e bëra në momentet e fundit janë një avantazh për skuadrat e mëdha”, tha Jan Monchaux.

Pak muaj më parë drejtori teknik i “Mercedes”, Mike Elliott pohoi se një ndryshim i tillë do të ishte një avantazh për veturat të cilat nuk ishin të ngritura nga toka pasi në këtë mënyurë do të minimizohej efekti “porpoising” ose thënë shqip lëkundjet e vazhdueshme lart-poshtë. Efekt ky që shumë vetura e kanë “vuajtur” vitin e kaluar.

Magjinë e Formula 1 do të keni mundësi ta ndiqni vetëm nëpërmjet Radio Televizionit Shqiptar duke filluar me Çmimin e Madh të Bahreinit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›