E Diel, 1 Nëntor 2026

Forum/ Analistë të medias rrahin mendime për shtigjet e reja ku po hyn politika shqiptare

Ja pse partitë politike për herë të parë në 15 vjet tranzicion i kanë nisur qysh tani fushatat e kamufluara elektorale. Ku madje ka dhe nga ata që deklarojnë fitoren

“Ethet” paraelektorale për vendosjen e “piketave” rreth koalicioneve të mundshme mes forcave politike, por edhe përcaktimi i objektivave kanë nisur rreth një vit përpara garës zgjedhore. Është hera e parë që kjo klimë kompeticioni ndjehet kaq herët gjë që paralajmëron për një garë të ashpër verën e ardhshme kur partitë do të përballen me orën e së vërtetës. Tashmë forcat politike në vend kanë nisur përgatitjet paraprake, si dhe riaktivizimin e strukturave dhe madje shumë herët dialogun me elektoratin shqiptar. Pas kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili pothuajse gjatë gjithë qëndrimit në opozitë ka bashkëbiseduar me bazën, më pas edhe kryeministri Sali Berisha ka ndjekur të njëjtën rrugë. Madje edhe parti të tjera të vogla kanë filluar mobilizimin e strukturave të tyre dhe takimet me elektoratin e tyre. Ajo që ndjehet është fryma e një fushate të parakohëshme, por ndryshe nga fushatat e dikurshme kësaj radhe janë së paku tri parti, të cilat kanë shprehur aspiratën, madje bindjen se do të jenë triumfuese dhe forca e parë politike në vend. Veç PS-së e PD-së, triumfuese në 17 vitet e fundit, synimi për të kapur majën e politikës pretendohet edhe nga LSI-ja. Analistë të medias shqiptare shprehin opinionin e tyre për këto zhvillime të reja në politikë dhe japin përgjigje për dy pyetje të rëndësishme:

1 - Pse kanë nisur kaq herët negociatat për përbërjen e koalicioneve në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, thuajse një vit para se të fillojë fushata e vërtetë?

2 - Cila nga tri partitë që kanë deklaruar se do të jenë forca e parë, PD-ja, PS-ja apo LSI-ja, vërtet do ta arrijë këtë objektiv?

Mero Baze

1 - “Mendoj se negociatat janë në kohë, pasi ato duhet të kryhen bashkë me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Pas ndryshimeve të kodit nuk ka më negociata, por rregulla të përcaktuara nga kodi. Minutat e fundit kur palët mund të bisedojnë, janë tashmë që kodi nuk është miratuar ende. Dhe kjo vlen vetëm për të majtën. E djathta e ka mbyllur këtë kapitull para miratimit të kodit. Nga mënyra sesi do të hartohet kodi, varet shumë qëndrimi i LSI-së ndaj PS-së dhe mundësia për koalicion. Kërkesa e LSI-së për korrektim kombëtar të rezultatit realisht synon të asgjësojë efektin e rajonalit proporcional, dhe nuk besoj se PS-ja do të jetë e gatshme për këtë lëshim, pasi është njësoj sikur të anulojë marrëveshjen që ka bërë me PD-në”.

2 - “PD-ja dhe PS-ja janë dy favorite reale. Mendoj se ato janë ende të balancuara në skenën politike dhe është shumë shpejt të thuhet kush do të dalë e para. Më lehtë është të thuash nëse PS-ja apo PD-ja kanë rritje nga zgjedhjet e shkuara. Mendoj se PD-ja ka rënie të elektoratit të saj, ka shumë njerëz të zhgënjyer brenda saj, që nuk kanë arritur ta prekin atë që quhet pushtet i PD-së, dhe që e gjithë kjo do të ketë një çmim për zgjedhjet. Aleatët e PD-së po ashtu janë të rrënuar, dikush nga humbja e identitetit politik e dikush nga skandalet. Republikanët janë nën barrën e një masakre kombëtare që ka bërë korrupsioni në Gërdec, kurse Partia e Pollos është inekzistente, pasi ka realizuar objektivin për të cilin ajo është krijuar: gjunjëzimi i Berishës. Tashmë Berisha e ka pranuar Pollon si numrin 2 të tij dhe celula e Pollos apo “Fraksioni i vulës”, siç kishte qejf ai të quante PD-në, tashmë është edhe i tij. Mendoj se opozita e Dashamir Shehit është e vetmja që ka një identitet, por është ende e përgjumur. Nga e majta, LSI-ja ka forcuar dukshëm identitetin përballë Ramës, kurse Gjinushi besoj se ka arritur kuotën më të ulët të popullaritetit të tij, besoj duke i prishur punë edhe PS-së. Por së bashku e majta, nëse bëhet korrektim kombëtar votash, del përpara së djathtës”.

Arban Hasani

1 -  “E vlerësoj si një hap pozitiv, që ka lidhje me përgjegjshmërinë e partive për t’u ballafaquar me sa më shumë mundësi në zgjedhjet e ardhshme. Sistemi i ndryshuar elektoral ka kushtëzuar këtë hap të forcave politike. E thënë ndryshe, për herë të parë ne do të kemi një të djathtë dhe të majtë që do të përplasen në pranverën e ardhshme: kjo është ajo që imponon sistemi. Tashmë kemi bipolarizim dhe jo më pluralizëm. Në këtë realitet të ri janë palët ato të cilat mundohen të maksimalizojnë sa më shumë të jetë e mundur votat e tyre, pa dashur që të kenë firo prej tekave të partive të vogla. Ajo që po profilizohet është se do të kemi një parti të madhe të djathtë dhe një parti të madhe të majtë. Në këtë kontekst është shumë interesant fakti që negociatat kanë nisur kaq shpejt. Kurioze për më tej mbeten shumë pikëpyetje: A do kemi sërish fraksione nga partitë që do të hyjnë në kampet e mëdha? A do të funksionojë fryma demokratike? A do të pranojnë Berisha e Rama dallimet respektive të Metës, Pollos, Cekës, Gjinushit, Milos, Shehit e kështu me radhë? A do të jetë e hapur një Parti Republikane në thelb, si PD-ja e qendrës së djathtë të kënaqë dhe monarkistët, p.sh. vetëm për hir të moshumbjes së votës tradicionale? A do të ripranojë e majta, p.sh. Xhuvelin dhe agrarët, duke lënë pas mëritë e trukeve me numrat dhe pushtetin? Të gjithë këto pikëpyetje, por edhe të tjera mbeten për t’u parë gjatë këtij viti. Ajo që është e rëndësishme, është se këto negociata po përpiqen të krijojnë një klimë të re, bipolarizimin, duke bërë dy pole të rëndësishme në jetën politike shqiptare. Nëse PD-ja e PS-ja, respektivisht z. Berisha e z. Rama nuk arrijnë të kryejnë këtë mision, poli i tretë, i majtë apo i djathtë qoftë, do ta prishë këtë balancë dhe sipas gjasave, do të influencojë në fitoren e kundërshtarit. Nëse ky pol i tretë do të jetë sipas precedentit të vitit 1997, kur të përndjekurit politikë u bashkuan me opozitën e majtë, rrjedhimisht gjasat që PD-ja të ridalë në opozitë janë të mëdha. Ashtu si edhe nëse ky pol i tretë gjenerohet nga LSI-ja apo grupimet pranë Fatos Nanos, sërish kthehet në vëmendje koha e zgjedhjeve të 2005-ës. Ndaj si për të djathtën, ashtu edhe për të majtën, imperative është kryerja me urgjencë e negociatave për të maksimalizuar votat e këtyre blloqeve. Problem mbetet vetëm kostoja që do kërkojë ky proces që nuk është vetëm aritmetik. Uji që i ndan aktorët kryesorë të kampeve politike në Shqipëri, “të djathtët” mes vetes dhe po ashtu edhe “të majtët”, është shumë më i madh dhe më i vrullshëm sesa retorika gjithnjë e më e qetë karshi kundërshtarit tradicional. Ndaj për Berishën është më e lodhshme negociata me zogistët e demokristianët sesa me Edi Ramën, siç është për socialistët më e lodhshme të merren vesh me Ilir Metën e Fatos Nanon, sesa me demokratët. Nisja qysh sot e këtyre negociatave vetëm mund ta ndihmojë këtë proces”.

2 - “Është shumë herët për të bërë parashikime. Ajo që deri tani është e dukshme, është se mes dy blloqeve të mëdha, të djathtë e të majtë, diferenca do të jetë vërtet e vogël. Ndryshimet e fundit në Kushtetutë imponojnë pikërisht këtë lloj rezultati. Se kush do të qeverisë pas 2009-ës, është shumë shpejt për ta parashikuar, por ajo që po duket në këtë fazë, është fakti se mospërcaktimi i kampeve, prania e aktorëve të tjerë si nga e djathta, ashtu nga e majta, do t’ua vështirësojnë jetën politike dy të mëdhave. Megjithatë, e sigurt është se edhe në 2009-ën sërish do të kemi një fitues tradicional mes dy të mëdhave. Periudha e tranzicionit siç duket ende nuk ka marrë fund në Shqipëri, dhe rrjedhimisht nuk është kryer ende dekomunizimi i vendit. Me këtë shpjegohet fakti që në ish-partinë e themeluar nga Enver Hoxha baza e militantëve dhe e drejtuesve kanë lidhje ideologjike, por edhe personale me regjimin e shkuar, ndërsa në Partinë Demokratike janë ish-komunistët që drejtojnë të gjithë strukturën vendimmarrëse. Për fat të keq, as LSI-ja nuk ka treguar ndonjë shenjë serioze për t’u ndarë nga politika e tranzicionit, veçanërisht pas veprimeve për të afruar në radhët e saj pikërisht personazhet të cilët u bënë shkas i krijimit të kësaj force politike tre vjet më parë. Në këto kushte, duket se qeveria e ardhshme e Shqipërisë do të jetë nën shenjën e tranzicionit postkomunist, siç ka ndodhur në gjithë këto vite, pas 8 dhjetorit 1990”.

Artur Zheji

1 - “Unë mendoj që arsyeja për të cilën këto kampe e kanë filluar më herët sesa herët e tjera fushatën, ka lidhje me ligjin zgjedhor, i cili u ndërtua dhe u faktua për të favorizuar subjektet politikë të ashtuquajtur “të mëdhenj”, në dëm të subjekteve më të vegjël politikë, gjë që krijon domosdoshmërish nevojën e koalicioneve, pra e grupimeve rreth forcave politike të tipit “strumbullar”. Kjo do të thotë se nuk mund të mbijetosh sipas këtij ligji elektoral pa krijuar një koalicion të qenësishëm. Kuptohet që ky ligj është një “kostum që u pre” për të dëmtuar partitë e ashtuquajtura “të vogla”, dhe normalisht një ligj që mund të them se me dritën e zhvillimeve të sotme, u ndërtua pikërisht për të dëmtuar LSI-në, e cila nuk ishte parti e vogël, nuk do të jetë parti e vogël dhe ka shansin të bëhet një parti determinuese për ekuilibrat politikë të së ardhmes së afërt. Në këtë pikëpamje është hapur merkatoja, tregu apo bursa e thithjes së subjekteve të vegjël partiakë, të cilët nuk kanë mundësi mbijetese pa u ndërthurur e ndërvarur nëpër koalicione”.

2 - “Le t’i analizojmë një e nga një. PD-ja me këtë qeverisje shumë të dyshimtë, me rezultate të cilat janë fatkeqësisht në sytë e të gjithëve si rezultate dështimesh; me këtë performancë të një individualizmi të sëmurë të zotit Berisha, që kohët e fundit na del edhe me dylbi, si një gjeneral në majë të Dajtit dhe pozon për fotografët, sigurisht delirant; me këtë krim shtetëror të Gërdecit mbrapa krahësh; me zhvillimet e bujshme që unë mendoj se do të ketë hetimi i prokurorisë në ditët që vijojnë; me shqetësimet jo të vogla që i ka brenda strukturave të veta në PD; me gjithë këto koeficiente të cilët flasin negativisht për performancën e sipërmarrjes “Berisha” në pushtet dhe sipërmarrjes “Berisha” në raport me premtimet e pambajtura, mendoj se PD-ja do të jetë një parti humbëse. Humbëse do të thotë, që do të marrë sipas perceptimit publik edhe të opinionit publik, edhe të ne analistëve, shumë më pak preferenca votash seç mori në 2005-ën. Pra, e fus në partitë të cilat do të jenë në disnivel me performancën e tyre të katër viteve më përpara. PS-ja, e cila tashmë nuk e them unë, por e thotë Meidani, e thotë Dritëro Agolli, e thotë Servet Pëllumbi, e thonë këta gurutë, pleqtë, po themi të kësaj partie, si një parti që nuk po bën opozitë. Është një parti, e cila nuk po bën opozitë. Është një parti, e cila ka një “flirt” të hapur lidershipi i saj dhe mazhoranca aktuale me PD-në në pushtet. Është një parti, e cila po drejtohet jo drejt fitores, por fatkeqësisht drejt disfatës. Është një parti, e cila flet në emër të së resë, të paktën me gojën e liderit të saj, por e reja është ajo çka në mënyrë objektive zoti Rama përcakton si të re dhe ajo çka zoti Rama në mënyrë subjektive e përcakton si të vjetër. Pra, një parti ku dominimi i autoritarizmit dhe i subjektivizmit të individit Rama është në nivelin dhe përmasa të tilla, të cilat kërcënojnë dhe rrezikojnë seriozisht performancën elektorale të këtij subjekti politik në zgjedhjet e 2009-ës. LSI-ja, e cila thashë edhe më parë, në bazë të kodit të ri elektoral, në bazë të një planifikimi që po bëhet gjithmonë e më tepër evident, “Berisha-Rama”, ishte një nga objektivat për t’u eliminuar. Nga ky kod, nga riorganizimi i saj dhe nga të dhënat e sondazheve që disponoj deri në këto momente, është një parti në rritje të ndjeshme. Jo vetëm kaq, por meqenëse kjo parti po shndërrohet në një “vatër” atraktive, pra në një “qendër graviteti” të subjekteve të tjera politike, të cilat do të hyjnë në koalicion me këtë parti, kjo parti nga një ish-parti e ndërvarur, pjesëtare e një koalicioni siç ishte në koalicionin e së majtës deri në zgjedhjet lokale të 2007-ës, po shndërrohet e do të shndërrohet në një parti, e cila do të bëhet një qendër më vete gravitacionale. Një parti, rreth orbitës së të cilës, në kuptimin e mirë të fjalës, do të kenë shanset e tyre të mëdha subjekte të tjera politike, të cilat do të njohin te kjo forcë, te ky koalicion, shansin për t’i dhënë Shqipërisë një dimension politik të ri, shumë më të zgjedhur se vetë LSI-ja, shumë më vendimtar në koalicionet e nesërme paszgjedhore të 2009-ës. Forcë e parë? “Këtë e dinë zgjedhësit shqiptarë. Për një analist do të ishte sakrilegj që të bënte parashikime, për arsye se analistët janë analistë dhe nuk janë as astrologë, nuk janë as fakirë dhe nuk janë as magjistarë që mund të parashikojnë. Ne, në bazë të të dhënave që disponojmë deri më tani, themi se forca që do të ketë më shumë avantazh, gjithmonë duke iu referuar pikëve më të fundit që janë grumbulluar në 2005-ën dhe në 2007-ën, mendoj që do të jetë koalicioni që do të drejtohet nga LSI-ja”.

Lutfi Dervishi

1 - “Këtë radhë është pak më ndryshe. Nëse i referohemi periudhës së tranzicionit, opozita ka kërkuar zgjedhje të parakohshme edhe një ditë pas mbarimit të zgjedhjeve (1992), ose në mënyrë permanente në vitet në vijim. Është hera e parë që opozita këtë radhë është e vendosur që mazhoranca duhet të konsumojë plotësisht mandatin. Kjo është risi. Viti i fundit është viti elektoral. Qeveria është në xhiron e fundit të garës dhe mendon se ka interes që të fillojë t’u prezantojë votuesve arritjet e saj gjatë këtyre tre viteve. Ndaj ka filluar analizat 7-mujore të dikastereve (megjithëse jemi futur në muajin e 9-të). Nuk ka fushatë në kuptimin klasik: zgjedhje apo riorganizim të strukturave të partisë, takime me anëtarët dhe simpatizantët, por janë ndezur motorët e fushatës në ekranet televizive, qoftë me prerje shiritash, qoftë me konferenca shtypi dhe deklarata për shtyp. “Fushata” deri më tani i ngjan petullës së madhe që ka shumë lëndë në anë, por është bosh në qendër. Në këtë kuptim ende nuk ka nisur.

Përfundimi i kodit zgjedhor do të shënojë edhe nisjen “de facto” të fushatës. Koha e mjaltit e konsensusit pozitë-opozitë do të përfundojë dhe do të rritet retorika mes pozitës dhe opozitës. Atëherë fillon fushata. Shpresohet që këtë radhë objekt i fushatës të mos jenë çështjet teknike, si “kartat e identitetit, regjistri kombëtar i zgjedhjeve, KQZ etj.”, as individët, por programet dhe idetë për Shqipërinë e shekullit XXI, që ende i ka këmbët në shekullin e kaluar”.

2 - “Është normale që të tria forcat të deklarojnë fitoren. Askush nuk futet në fushatë për humbje, por është shumë shpejt për të thënë “Urra”! Janë të paktën 9 muaj vendimtarë për partitë, të cilat do të kristalizojnë dhe ngulisin tek votuesit e lëkundur apo ata që do të votojnë për herë të parë votën pro apo kundër. Nëse i referohemi historisë, deri më tani nuk është votuar pro, por kundër. PD-ja do të artikulojë në fushatë arritjet madhore të vendit në këto katër vite, ku do të renditet hyrja në NATO, mbyllja e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit me 27 vendet e BE-së, ndoshta aplikimi për statusin e vendit kandidat në BE, pavarësia e Kosovës, frontet e mëdha të punës në infrastrukturë (ku mund të veçohet rruga Durrës-Morinë), rritja e pagave (sidomos për arsimtarët) dhe e pensioneve, ulja e nivelit të krimit etj. Partitë e opozitës ndoshta do të kapitalizojnë mosrealizimin e premtimeve 100 për qind të mazhorancës, të bëra publike në shtator të vitit 2005, si furnizimi me ujë dhe drita 24 orë dhe çështjen e korrupsionit, Gërdecin etj. Por e përsëris, që është shumë shpejt për të folur për shanset, sepse situata nuk është (deri më tani) bipolare. Nëse opozita futet e ndarë në zgjedhje, nëse në javët dhe muajt në fillim do të kemi thatësirë dhe ndodhemi para një krize tjetër energjetike, nëse në javët dhe muajt në vijim “shpërthen” ndonjë skandal, “nëse”-të janë të shumta, ndaj njëherë duhet të presim përfundimin e infrastrukturës zgjedhore, duhet të shohim edhe buxhetin e këtij viti, duhet të shohim ecurinë e disa projekteve madhore të ndërmarra, duhet të presim rezultatet e disa sondazheve që do të realizohen dhe ndoshta për fushatën mund të flitet me siguri vetëm në fillim të vitit të ardhshëm”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›