E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Forumi i Davosit, Rama: Sulmet kibernetike janë më të këqija se pandemitë, mbrojtja është jetike dhe kërkon investime

Mbrojtja kibernetike ka qenë kryefjala e kryeministrit, Edi Rama, në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, i cili po mbahet në Zvicër. Vënia e theksit në këtë temë nga kreu i qeverisë, ka marrë shkas nga sulmi kibernetik që Irani ndërmorri ndaj Shqipërisë.

Rama u shpreh para të pranishmëve në Forum, se Shqipëria i’a doli që t’i bënte ballë sulmit, duke pasur parasysh se qëllimi i keqbërësve ishte ta shkatërronte tërësisht sistemin e shërbimeve digjitale të Shqipërisë.

“Ne e dimë shumë mirë që kapaciteti i atyre që bëjnë këto sulme është shumë i madh. Nuk njoh një vend që nuk e ka përjetuar një situatë të tillë, dhe  ndonjëherë edhe me dëme të mëdha. Të flasësh për përgjegjësi është shumë e lehtë, por ne do ta adresojmë problemin në sofistikimin e mbrojtjes. Mendoj se ne rezistuam shumë mirë, në krahasim me targetin që kishin sulmuesit. Qëllimi i tyre ishte ta ‘fshinin’ totalisht sistemin tonë digjital dhe të na rikthenin te ‘epoka e letrës’. Kjo nuk ndodhi dhe ne ia dolëm.”- nënvizoi kryeministri.

 Kreu i qeverisë ka ofruar edhe një tablo të përpjekjeve të Shqipërisë drejt digjitalizimit, duke e quajtur këtë “një histori suksesi”. Sipas tij, Shqipëria gjeti tek digjitalizimi një bekim të madh, pasi mundësia e tij për të ndryshuar është shumë e nevojshme për vendet në zhvillim.

 “Sot jemi një vend që 95% të shërbimeve publike i kemi online. Martesën nuk e kemi jo online akoma, shenjat e gishtërinjve po apo ndonjë gjë tjetër, por thuajse gjithçka i bëjmë nga telefoni.  Por kjo na ka ekspozuar shumë. Vitin e kaluar u sulmuam shumë rëndë nga Irani. Morëm me shumë kujdes ‘shënime’ në çdo hap të hetimit. Sigurisht ishim shumë të kujdesshëm kur arritëm në këtë akuzë për Iranin dhe e kemi të faktuar. Jemi ende nën sulm. Praktikisht çdo ditë. Pamë dhe anën tjetër të këtij bekimi të teknologjisë, që është ‘mallkimi’ i teknologjisë. Ky sulm ishte nga më të rëndit bërë ndonjëherë në të gjithë botën. Megjithatë ne ia dolëm që të shmangnim që të humbnin të gjitha të dhënat”,- tha Rama.

Sipas tij, ndërtimi i mburojës kibernetike kërkon kohë dhe mbi të gjitha shumë fonde, por është e domosdoshme, pasi ky sulm kibernetik mund të kalonte kostot edhe të ekonomive të SHBA-ve dhe të Kinës.

 “Nëse deri në 2025 ky sulm kibernetik do të ishte vërdallë, kjo kosto do ishte më shumë se 10 trilion. Kështu që si t’ja dalim me këtë? Unë rikujtoj që është një gjë shumë e thjeshtë kur investon. Nuk është një parandalim i tipit sikur dikush po të hyn në shtëpi, por është jetesa me rrezikun pa e ditur atë. Është si një sëmundjeje brenda trupit tënd dhe ti mos të jesh në dijeni. Ato rrinë prej vitesh aty dhe zgjohen në një moment kur ti je më i cënueshëm Është edhe më keq se pandemia”,- theksoi Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›