Forumi i IA-së/ Rama: 9 mijë studentë në teknologji

Kryeministri Edi Rama ka folur për zhvillimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në Shqipëri, duke njoftuar se aftësimi në teknologji do të bëhet i detyrueshëm për administratën publike.
Në Forumin e Inteligjencës Artificiale dhe Zhvillimit të Teknologjisë, Rama u ndal edhe te pjesëmarrja e vajzave në këtë sektor, duke e cilësuar atë ndër më të lartat në Europë.
Rama tha se Programi Kombëtar i Aftësimit në Teknologji dhe Inteligjencë Artificiale do të jetë i hapur për individët, ndërsa për administratën publike do të jetë i detyrueshëm.
Procesi i integrimit të inteligjencës artificiale në administratë ka nisur tashmë, fillimisht në drejtoritë juridike. Sipas kryeministrit, më tej përdorimi i këtyre moduleve do të shtrihet në të gjitha nivelet e administratës, me synimin për t’u dhënë punonjësve një asistencë digjitale të specializuar.
“Programi Kombëtar i Aftësimit në Teknologjinë, Inteligjenca Artificiale do të hapet për individët dhe do të bëhet i detyrueshëm për administratën publike. Kemi filluar një proces integrimi të moduleve të inteligjencës artificiale me administratën publike, në nivelin e parë fillimisht me drejtoritë juridike dhe do të shtrihemi në të gjitha nivelet për t’i dhënë mundësi administratës që të ketë në dispozicion një asistencë jashtëzakonisht të kualifikuar përmes moduleve të inteligjencës artificiale.”-tha Kryeministri.
Një tjetër fokus i forumit ishte përgatitja e të rinjve për tregun e teknologjisë. Rama tha se aktualisht janë rreth 9 mijë studentë që studiojnë në këtë fushë.
Pjesëmarrja e vajzave në degët e teknologjisë ishte një nga elementët që kryeministri veçoi në fjalën e tij, duke e lidhur këtë me një prirje që, sipas tij, po merr përmasa të rëndësishme në Shqipëri.
“Sot kemi po ashtu një trend shumë pozitiv, rritje të qëndrueshme të studentëve që merren me teknologji, janë 9.000 aktualisht. Dhe për kënaqësinë time të madhe në këtë temë numri i vajzave që merren me teknologji është nga më të lartët në Europë. Një dëshmi tjetër e atij fakti që unë e kam përqafuar prej kohësh që në Shqipëri vajzat dhe gratë janë shumë më të mençura se burrat dhe djemtë.”-u shpreh ai.
Në të njëjtën linjë, Rama foli edhe për krijimin e laboratorëve inteligjentë, që sipas tij pritet të ndikojnë në rritjen e numrit të fëmijëve që do të përgatiten për sektorin e teknologjisë.
Qeveria synon gjithashtu të rrisë grantet për kërkimin e aplikuar përmes Fondit të Inovacionit, si dhe të nxisë partneritetet mes universiteteve dhe industrisë.
“Ndërkohë që do shtojmë grantet për financimin nëpërmjet Fondit të Inovacionit për kërkim të aplikuar dhe partneritete mes universitetit dhe industrisë pikërisht aty ku sot kemi edhe vështirësinë dhe prapambetjen më të madhe.”-nënvizoi Rama.