Forumi i Zhvillimit të Medias, Tarran: Objektiv, arritja e një mjedisi mediatik të pavarur

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran theksoi sot rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së medieve dhe rolin e tyre në forcimin e demokracisë.
Në fjalën e tij në Forumin e 11-të të Zhvillimit të Medias (MDF), pjesë e të cilit ishin gazetarë e përfaqësues institucionesh ku u diskutua mbi Transparencën e Pronësisë së Medias dhe Pluralizmit Mediatik në Shqipëri, Tarran u shpreh se duhet mjedis që forcon debatin publik dhe që ruan vlerat demokratike.
Sipas tij, “ky forum synon të rrisë ndërgjegjësimin për sfidat e sektorit mediatik dhe të nxisë hapa konkretë drejt reformimit të medias në Shqipëri, në përputhje me standardet ndërkombëtare të lirisë së shprehjes”.
“Objektivat e përbashkëta janë arritja e një mjedisi mediatik të shumëllojshëm të pavarur dhe që i reziston presioneve politike apo ekonomikë. Besoj se ky forum do rrisë ndërgjegjësimin dhe do ndihmojë në ndërmarrjen e hapave praktike për reformimin e medias në Shqipëri”, tha ai.
Tarran siguroi se “Prezenca e OSBE në Shqipëri, mbetët e gatshme të mbështesë përpjekjet e medies dhe të punojë me të për arritjen e objektivit të përbashkët”.
Në një videomesazh nga Vjena, Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Ambasadori Jan Braathu, shprehu kënaqësinë e vet për mbajtjen e këtij eventi, duke vënë në dukje “angazhimin e vazhdueshëm të Prezencës për përparimin e lirisë dhe pluralizmit të medias në vend. Këto janë vërtet diskutime tej mase të rëndësishme, jo vetëm për të mbrojtur lirinë e shtypit, por edhe për t’u siguruar që media të shërbejë si një platformë e mirëfilltë për zëra të larmishëm, gazetari etike dhe të përgjegjshme, si dhe debat publik të informuar”.
Sesioni i parë u përqendrua në transparencën e pronësisë së mediave dhe rreziqet që sjellin strukturat e paqarta të pronësisë dhe përqendrimi i tregut.
Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi theksoi se institucioni që ajo drejton ka hedhur një hap shumë të rëndësishëm sa i takon Transparencës së Strukturës së Pronësisë së Medias dhe Pronarët Përfitues, direkt dhe indirekt.
“Kemi krijuar dhe publikuar një databazë gjithëpërfshirëse mbi Transparencën e Strukturës Pronësore, e cila është e aksesueshme përmes faqes zyrtare të institucionit. Kjo databazë shërben si një burim kryesor dhe i përditësuar dhe përmban informacion të detajuar mbi të gjitha OSHMA-të e licencuara dhe të autorizuara në Shqipëri. Ajo përfshin të dhëna si për personat juridikë ashtu edhe për persona fizikë, duke shtrirë transparencën deri në identifikimin e plotë të pronarëve përfitues fundorë”, nënvizoi ajo.
Ajo shtoi se pjesë e transparencës, që hedh dritë akoma më shumë mbi tregun audioviziv, është edhe studimi i hollësishëm i kryer mbi investimet ekonomike të OSHMA-ve, përtej tregut mediatik. Kjo analizë pasqyron me transparencë përfshirjen e tyre në aktivitete ekonomike përtej fushës së medias, duke ofruar një panoramë më të gjerë të shpërndarjes së kapitalit në ekonomi.
“Në bashkëpunim me QKB-në kemi krijuar edhe një database ndërinstitucionale për identifikimin e veprimtarive të tjera ekonomike dhe financiare të shoqërive tregtare që janë të licencuara ose të autorizuara për veprimtari audiovizive. Përmes kryqëzimit të të dhënave, është mundësuar gjenerimi i informacionit tregtar edhe për veprimtaritë e tjera financiare të pronarëve përfitues, direkt apo indirekt”, theksoi kryerja e AMA-s, Armela Krasniqi.
Dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Prof. Dr. Mark Marku paraqiti perspektiva akademike lidhur me pluralizmin mediatik, krahas redaktorëve dhe analistëve të medias që shpalosën shqetësime praktike sa i përket pavarësisë editoriale dhe ndikimit ekonomik mbi mediat.
Sesioni i dytë u përqendrua në pavarësinë e transmetuesit publik shqiptar, RTSH, duke vënë në dukje rolin e tij qendror në sigurimin e informacionit pluralist dhe të besueshëm. Drejtorja e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, foli për përpjekjet e brendshme në vijim dhe për presionet financiare që vijojnë të ndikojnë në pavarësinë e institucionit, ndërsa ekspertët e integritetit mediatik
Vasili në fjalën e saj prezantoi vizionin strategjik të ri të RTSH-së, që synon transformimin e transmetuesit publik në një media moderne, me standarde europiane. Për këtë qëllim, nënvizoi Vasili, RTSH ka zgjedhur si partner Unionin Europian të Transmetuesve (EBU), që do të ofrojë asistencë teknike dhe këshillimore.
“Duam të kemi standarde. Jemi të vetëdijshëm që jemi disa dekada pas, ndaj na duhet një ritëm i madh për të përmbushur pritshmëritë e publikut të vitit 2025,” tha ajo.
Vasili foli hapur për sfidat me të cilat përballet institucioni, nevojën për modernizim dhe përkrahjen që kërkohet nga aktorët institucionalë.
“Ka një luftë brenda meje, një betejë mes gazetarit dhe menaxherit,”, u shpreh Vasili. Ajo shtoi se mënyra se si perceptohet sot RTSH, është një sfidë e madhe.
Drejtoresha e RTSH u shpreh se ka zgjedhur të jetë transparente për gjendjen që ka gjetur në institucion dhe ka kërkuar mbështetje nga Kuvendi, qeveria, partnerët ndërkombëtarë dhe bashkëpunëtorët vendas për të ringritur RTSH-në në standardet që kërkon koha.
Vasili deklaroi se është ngritur një grup pune i cili është i ngarkuar vetëm me transparencën.
Sipas saj, ky grup do të merret me publikimin online të të gjitha “vendimeve të Këshillit Drejtues, bordit të administrimit dhe sigurisht ato që mund të publikohen nga vendimet e menaxhimit, sepse jo gjithçka mund të publikohet”.
Lutfi Dervishi dhe Blerjana Bino theksuan rëndësinë e forcimit të llogaridhënies dhe mbikëqyrjes publike. Përfaqësues të mediave publike ndërkombëtare ndanë gjithashtu përvoja krahasuese mbi ruajtjen e një mandati të fortë të transmetuesit publik.
Gjatë gjithë Forumit, pjesëmarrësit ranë dakord se transparenca sa i përket pronësisë së mediave dhe një transmetues publik i pavarur janë të domosdoshëm për ruajtjen e besimit të opinionit publik dhe pjesëmarrjes demokratike. Diskutimet pritet të kontribuojnë në veprime konkrete ndjekëse dhe në rekomandime publike.
OSBE - Forumi i Zhvillimit të Medias. Foto: Andrin Hoxha 1 nga 12/m.m/r.e/ /a.g/