Foshnja shpëton nënën nga burgu/ GJKKO: E dënuara, në arrest shtëpie deri kur fëmija të jetë një vjeç

Një ditë më parë ishte në burgun e Pojskës, së bashku me foshnjën e saj vetëm 4 muajshe. Këtë të enjte Greta Gjoci iu drejtua Gjykatës së Posaçme me kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit dhe për të qëndruar në shtëpi pranë fëmijës së saj.
Në ambientet e Gjykatës së Posaçme, Greta Gjoci u transportua nga burgu i Pojskës së bashku me foshnjën e saj, që mbahej në ambientet e posaçme të GJKKO-së nga kujdestarja e burgut të Pojskës.
Në sallën e gjyqit, ajo foli edhe vetë, ku kërkoi shtyrjen e ekzekutimit të vendimit që e lë atë në qeli, ndërsa për gjendjen e fëmijës, tha se gjatë ditëve të qëndrimit në burg, foshnja ka shfaqur probleme, nuk po ushqehet dhe nuk ka fjetur.
Kërkesa e saj ishte që ekzekutimi i dënimit të shtyhet dhe ajo të qëndrojë në shtëpi derisa fëmija të mbushë një vjeç.
Jurgen Gjoci ishte një nga dy avokatët e pranishëm në seancë. Ai tha se, pavarësisht vendimit të Dhomës së Avokatisë për bojkotimin e seancave, kishte vendosur të ishte aty pasi Greta Gjoci është familjare e tij dhe e mori përsipër mbrojtjen.
Edhe prokurori Ened Nakuçi ishte dakord me kërkesën e bërë nga mbrojtja.
Në fund, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë pranoi kërkesën e Greta Gjocit për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit.
Ajo ka ende për të vuajtur 3 vite e 5 muaj nga dënimi i dhënë nga shkalla e parë, e reja do të kthehet sërish në Pojskë për të bërë procedurat, dhe sonte bashkë me foshnjën do të jetë në shtëpi.