Fotoja që fitoi Pulitzer
E gjakosur, e mbetur e vetmja në këmbë mes nënave dhe fëmijëve të vdekur, 12-vjeçarja Tarana Akbari pasqyron makthin dhe tmerrin kaotik pas një sulmi nga një person-bombë, duke thirrur për ndihmë. Kur kjo foto doli në faqet e para të New York Times, The Washington Post dhe Los Angeles Times, më 7 dhjetor 2011, imazhi u lidh menjëherë më realitetin e përgjakur të luftës që ka shkatërruar jetët e popullit në Afganistan. Dje kjo foto u nderua me çmimin Pulitzer, vlerësimi më i lartë në gazetari. Fotoja u realizua nga Masoud Hosaini, i cili po mbulonte raportimin për një ceremoni fetare shiite në një faltore në Kabul për AFP-në, kur mes turmës së njerëzve shpërtheu bomba. Gjashtëdhjetetre njerëz u vranë. Në një intervistë dhënë për AFP, ai tha: Unë mund të jem zëri i jetës së dhimbshme që ka populli afgan. E di se kushdo që të shikojë këtë foto do të mendojë për fotografin që fitoi çmim, por shpresoj që të mos harrojnë dhimbjen e popullit afgan, tha fotografi 24-vjeçar.