Franca ashpërson ligjin: Deri në 3 vite burg për braktisjen e kafshëve

FRANCË, 14 prill /ATSH/ – Franca ka forcuar ndjeshëm masat ligjore kundër braktisjes së kafshëve shtëpiake, duke e cilësuar atë si vepër penale të dënueshme me deri në tre vite burg dhe gjobë që mund të arrijë në 45 mijë euro.
Masa është pjesë e kuadrit të përditësuar ligjor për mbrojtjen e kafshëve, që synon të frenojë fenomenin e braktisjes, veçanërisht gjatë periudhave të pushimeve, kur numri i rasteve rritet ndjeshëm.
Autoritetet franceze theksojnë se qëllimi i këtij ligji është të rrisë ndërgjegjësimin dhe përgjegjësinë e pronarëve, duke theksuar se kafshët shtëpiake nuk janë sende të përkohshme, por një angazhim afatgjatë.
Ligjvënësit vlerësojnë se ashpërsimi i dënimeve synon gjithashtu të parandalojë neglizhencën dhe keqtrajtimin, ndërsa organizatat për mbrojtjen e kafshëve e kanë përshëndetur këtë hap si një zhvillim të rëndësishëm në forcimin e standardeve të mirëqenies së kafshëve.
Ky kuadër ligjor, i cili është bërë sërish viral në rrjetet sociale ditët e fundit, konsiderohet si një nga më të rreptët në Evropë në mbrojtje të kafshëve shtëpiake.