“Franca do të jetë e kujdesshme në lidhje me marrëdhëniet e talebanëve me grupet terroriste”

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se Franca do të jetë “veçanërisht e kujdesshme” në lidhje me marrëdhëniet e talebanëve me organizatat terroriste.
“Kjo është për sigurinë tonë”, tha Macron në një konferencë të përbashkët për media me kancelaren gjermane, Angela Merkel, para takimit të tij kokë më kokë me të në Pallatin Elysee.
Duke theksuar se ata do të diskutojnë agjendën ndërkombëtare dhe situatën në Afganistan, Macron tha se ata do të bëjnë përpjekje për të mbështetur vendet fqinje që presin afganët.
Gjithashtu, shtoi ai, në agjendën e takimit ishte edhe garantimi i sigurisë që njerëzit nën kërcënim në Afganistan të largohen nga vendi dhe dërgimi i ndihmës humanitare në Afganistan.
Macron theksoi se ai gjithashtu do të diskutojë situatën në Sahel, Libi, Iran, Ukrainë dhe Bjellorusi me Merkel.
Merkel tha se çështja në Afganistan janë njerëzit që janë nën kërcënim dhe evakuimi i refugjatëve nga vendi.
Duke u shprehur se është e rëndësishme të sigurohet mbështetje për vendet fqinje që ndihmojnë afganët, Merkel theksoi se ata do të punojnë se si të bëjnë përparim në ndryshimet klimatike duke ruajtur bazën industriale.
Ajo tha se gjatë takimit do të diskutohen edhe zhvillimet në lidhje me Kinën, SHBA-në dhe rajonin Indo-Paqësor./AA