Franca kërkon mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit pas shpërthimit të luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit

Presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje për një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke paralajmëruar se shpërthimi i një lufte mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit ka “pasoja serioze” për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Thirrjes së Francës iu bashkuan Bahreini, Kolumbia, Rusia dhe Kina.
Sipas zyrës së tij, Macron zhvilloi biseda të ndara me liderët e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Jordanisë dhe me presidentin e rajonit autonom të Kurdistanit.
Ai deklaroi se Franca është e gatshme të vendosë burimet e nevojshme për të mbrojtur partnerët më të afërt, nëse ata e kërkojnë.
Në një postim në X, Macron theksoi se “Përshkallëzimi aktual është i rrezikshëm për të gjithë. Ai duhet të ndalet. Regjimi iranian duhet të kuptojë se nuk ka më asnjë opsion tjetër veçse të angazhohet në negociata me besim të mirë për t’i dhënë fund programeve të tij bërthamore dhe raketave balistike, si dhe veprimeve destabilizuese në rajon.”
Ai shtoi se kjo është “absolutisht thelbësore për sigurinë e të gjithëve në Lindjen e Mesme” dhe se populli iranian duhet të ketë mundësinë të ndërtojë të ardhmen e tij lirshëm.
“Masakrat e kryera nga regjimi islamik e diskreditojnë atë dhe e bëjnë të domosdoshme që populli të ketë zë. Sa më shpejt, aq më mirë,” tha Macron.
Sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit të shtunën e zhytën Lindjen e Mesme në një konflikt të ri, të cilin presidenti amerikan Donald Trump e përshkroi si një hap për t’i dhënë fund kërcënimit ndaj sigurisë së SHBA-së dhe për t’u dhënë iranianëve mundësinë të rrëzojnë sundimtarët e tyre.
/rtsh.al/