Franca në tensione protestash, 70 mijë efektivë policie në gadishmëri për protestën e sotshme

Franca përgatitet për një ditë tensionesh, ndërsa rreth 70 mijë efektivë policie do të angazhohen për protestat mbarëkombëtare të së shtunës. Pakënaqësia për rritjen e kostos së jetesës, shërbimet publike dhe politikat e qeverisë Macron ka nxitur demonstrata të reja, dy javë pas trazirave dhe grabitjeve që shkaktuan dëme të konsiderueshme në disa qytete. Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, ka paralajmëruar se autoritetet do të reagojnë me vendosmëri ndaj çdo akti dhune, duke e cilësuar situatën si me “rrezik shumë të lartë” për trazira.
“Gjithçka është vënë në gatishmëri për të garantuar një reagim jashtëzakonisht të vendosur ndaj çdo problemi”, deklaroi Nuñez.
Shqetësim për policinë mbetet edhe mundësia që protestuesit të përdorin maskat e Halloween-it për të fshehur identitetin. Ndërkohë Ambasada amerikane u ka këshilluar qytetarëve të saj të shmangin zonat ku do të zhvillohen demonstratat.
Protestat janë nxitur nga pakënaqësia për rritjen e kostos së jetesës, gjendjen e shkollave dhe shërbimeve publike. Në to janë bashkuar studentë, sindikata dhe lëvizja e Jelekëve të Verdhë.
“Kur isha i vogël më thoshin se të rinjtë janë e ardhmja. Nëse ne si e ardhmja e Francës, nuk kemi burimet e nevojshme, kjo do të thotë se Franca do të përfundojë duke u shembur”, u shpreh 15-vjeçari Aaron Berthier de Grandry, i cili pritet t’u bashkohet protestave për të tretën fundjavë radhazi.
Pakënaqësia sociale është përhapur edhe në vende të tjera të Evropës, ku në Gjermani janë planifikuar demonstrata në më shumë se 30 qytete.
Ndërkohë, pasojat ekonomike të trazirave të mëparshme janë të konsiderueshme. Sipas Dhomës së Tregtisë, humbjet për sektorin e shitjes me pakicë kanë kaluar 1 miliard euro. Qeveria po përgatit gjithashtu një ligj që parashikon gjoba deri në 10 mijë euro për personat përgjegjës për dëmet e shkaktuara gjatë trazirave, një masë që ka ngjallur kundërshtime nga organizatat e të drejtave të njeriut.