E Shtunë, 31 Tetor 2026

France gjueti per atentatorin

Një gjueti e vërtetë, më e madhja në historinë e fundit të Francës, po zhvillohet në këtë vend pas vrasjes së katër personave në një shkollë hebraike në Tuluz.

Policia lokale e ka lidhur ngjarjen me dy atentatet e ndodhura javën e kaluar ku mbetën të vrarë tre ushtarë të regjimentit të parashutistëve.

E njëjta armë dhe i njëjti motor i vjedhur u përdorën nga atentatori në të tre sulmet, kanë bërë të ditur burime të afërta me hetimet që po kryejnë autoritetet.

Ndërkohë, presidenti Nicolas Sarkozy ka vendosur në jug-perëndim të Francës nivelin më të lartë të alarmit anti-terrorizëm. Është hera e parë në historinë e vendit që është shpallur “alarmi i kuq”, bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare.

Masa në fjalë u mundëson autoriteteve të depërtojnë në jetën e përditshme dhe të implementojnë masat e sigurisë përmes disa opsioneve, mes të cilave përfshihet patrullimi i përbashkët polici-ushtri, autoritet për të ndërprerë transportin publik dhe për të mbyllur shkollat.

Agjentë të armatosur janë vendosur jashtë shkollave fetare, si dhe ndaj ndërtesave fetare hebraike e myslimane. Mijëra persona marshuan në rrugët e Parisit pasditen e së hënës në nder të viktimave. Ndërsa të martën, të gjitha shkollat në Francë do të mbajnë një minutë heshtje.

Masakra në Tuluz, pistë neonaziste

Autori i masakrës përpara shkollës hebraike në Tuluz është i njëjti që vrau tre ushtarët javën e kaluar në të njëjtin qytet dhe një tjetër ushtarak në Montauban.

Kështu tha prokurori francez që po ndjek çështjen Michel Valet. Sipas elementëve të parë të hetimit, pista më e privilegjuar nga policia është ajo e grupeve neonaziste.

Kjo, pasi në vitin 2008 tre parashutistë të të njëjtit regjiment të ushtarëve të vrarë u përjashtuan pasi ishin anëtarësuar në shoqata naziste. Për rrjedhojë, mund të bëhet fjalë për një hakmarrje ndaj ish-bashkëluftëtarëve.

Krijohet identikiti i vrasësit

Një person muskuloz, me tatuazhe dhe i veshur me të zeza. Është ky identikiti i autorit të masakrës, i krijuar në bazë të dëshmive të mbledhura.

Identikiti në fjalë përputhet me atë të parashutistëve të përjashtuar, që bënin pjesë në të njëjtin regjiment të ushtarakëve të vrarë javën e kaluar. Treguesit në fjalë përforcojnë për rrjedhojë pistën e neonazizmit. 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›