Fredi Beleri nuk do të betohet si kryetar bashkie; Gjykata rrëzon kërkesën e tij për leje

Të martën e 27 qershorit në konstituimin e këshillit bashkiak të Himarës, Fredi Beleri nuk do të betohet si kryetar.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit rrëzoi kërkesën për leje të përkohshme me argumentin ligjor se ajo jepet vetëm në rast vdekje, martese apo provimi.
Fredi Beleri është i arrestuar dhe në burg për akuzën e shitblerjes së votës. Që ai të ushtrojë detyrën për të cilën u votëbesua në 14 maj, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” duhet të betohet, në të kundërt ai nuk çertifikohet si kryebashkiak i Himarës.
Mundësinë e radhë për tu ulur në karrigen e të parit të Himarës, Fredi Beleri e ka në 15 korrik. Pas rekursit, Gjykata e Lartë do të vendosë për masën e sigurisë, nëse do të lërë në fuqi arrest me burg apo do ta ndryshojë në arrest në shtëpi.
Deri në ketë vendim i cili është i lidhur me betimin e kandidatit fitues të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Jorgo Goro, do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e kryetarit të bashkisë Himarë.
Ndryshe nga Himara që kryebashkiak të zgjedhur ka Fredi Belerin por deri në një vendim të drejtësisë do të drejtohet nga Jorgo Goro, socialisti që i humbi zgjedhjet, në Rrogozhinë zgjedhjet do të përsëriten.
Data më mundshme është 23 korriku. Edhe pse një bashki e vogël për kandidatët në garë që nuk ndryshojnë, për PS Edison Memolla dhe koalcioni “Bashkë Fitojmë” Shkëlqim Hoxha nuk do te votohet dhe numërohet elektronikisht.
Ende nuk ka një vendimarrje nga KQZ për qendrën e votimit në burgun e Rrogozhinës, që çoi në përsërtjen e zgjedhjeve.