Frika nga Ebola

Virusi hemorragjik paraqet fikën më të madhe për personalit mjekësor atje, ngase përhapet përmes kontakti me persona të infektuar, përmes lëngjeve të tyre trupore, madje edhe përmes rrobave të tyre. Zakonisht Ebola shfaqet me ethe të përnjëhershme, diarre, vjellje dhe gjakderdhje të brendshme e të jashtme.
Disa ditë pas raportimit të shpërthimit, ekipet mjekësore vendore dhe ndërkombëtare ia mësynë qendër së epidemisë, gjegjësisht krahinës Kibaale, në Ugandën perëndimore, ku, sipas Qendrës për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve, deri më tani janë konfirmuar 38 raste të infektuar me Ebola dhe 16 persona të vdekur.
"Ebola nuk është një sëmundje krejt e panjohur, por ajo nuk është si malaria, me të cilën ata (grupet” përballen për çdo ditë”, thekson Henry Gray,i cili në Kigadi arriti të hënë, si pjesë e ekipit të organizatës Doctors Without Borders (Mjekët Pa Kufij). Në qytetin Kigadi, që ndodhet afro 140 kilometra në perëndim të Kampalës, u shfaqën rastet e para të Ebolës.
Kur të ndodh diçka si Ebola, atëherë rrallëherë ndodh që sëmundja të godas dy herë të njëjtin vend. Zakonisht përhapet tutje.
Një e treta e spitalit në Kigadi, që ka 100 shtretër, është shndërruar në repart izolimi për rastet e infektuara me Ebola, dhe një barrierë fizike ndalon qasjen e pacientëve pa Ebola në atë pjesë të spitalit, sqaron Gray.
Ekipi i Doctors Without Borders është në mesin e atyre që filluan një intervenim emergjent kundër përhapjes së Ebolës.
Një prej prioriteteve është mbrojtja dhe mbështetja e personalit të frikësuar lokal mjekësor. Gjatë shpërthimit të fundit të virusit, njësoj sikurse edhe në rastet e mëhershme, në mesin e viktimave të para ishin edhe dy anëtarë të personelit mjekësor që kontaktoi me pacientët e prekur, para se të dihej se bëhej fjalë për Ebolën.
Gjatë ditëve të ardhshme, organizata Doctors Without Borders do të ofrojë edhe mbështetje psikologjike për punonjësit mjekësorë dhe për pacientët e prekur me sëmundjen dhe me frikën nga ajo. Deri më tani, ekipi i Doctors Without Borders numëron 22 ndërkombëtarë dhe staf lokalë nga Kigadi, që punojnë bashkë me spitalin, punonjësit e Ministrisë së Shëndetësisë, stafin e ardhur nga Kampala dhe disa grupe ndërkombëtare.
Ndryshe, virusi Ebola është vdekjeprurës për 20 deri në 90 përqind të të infektuarve – varësisht nga fuqia e tij. Virusi aktual i përket tipit Ebola-Sudan, i cili shkakton vdekjen e 70 përqind të të infektuarve. Momentalisht nuk ekziston asnjë ilaç për shërimin nga Ebola, megjithëse pacientët mund të trajtohen kundër vjelljes, diarresë dhe dehidrimit. Disa edhe mbijetojnë.
Megjithatë, mbetet e paqartë se deri në ç’masë ka shkuar përhapja e virusit deri tani.
Lajmi, sipas të cilit, në Kampala tashmë është regjistruar një viktimë e virusit Ebola ka shkaktuar panik në kryeqytetin ugandas. Mirëpo WHO njoftoi të enjten se bëhet fjalë për pacientin që në Kampala është transferuar nga qyteti Kibaale, dhe se, deri më tani, nuk është shënuar asnjë rast i infeksionit jashtë rajonit të Kibaale.
"Rasti i parë duket të ketë qenë një vajzë tre-muajshe, nëna e së cilës u sëmurë po ashtu. Pas vdekjes së foshnjës, familja u mundua të zbulonte shkakun e vdekjes së saj, por nuk arriti të gjente përgjigje – edhe pse shpejt u përhapën thashethemet për magjinë e zezë”, pohoi Olimpia de la Rosa, koordinatore emergjente në organizatën Doctors Without Borders, në kumtesën e saj për shtyp.
Ndërkohë, 15 nga 65 njerëzit që morën pjesë në varrimin e foshnjës u raportuan të sëmurë, dhe 11 prej tyre kanë vdekur që nga ajo kohë, thekson ajo.
Sipas agjencisë Reuters, gjatë adresimit kombëtar të javës së kaluar, presidenti i Ugandës, Yoweri Museveni, këshilloi banorët që, me qëllim të uljes së përhapjes së sëmundjes, t’i shmangen shtrëngimit të duarve me njëri-tjetrin, seksit të rastësishëm dhe varrosjes së paorganizuar të të vdekurve. Në ndërkohë, shkaku i frikës nga virusi, popullata nuk ndjehet e lirë që të udhëtojë, e as të shkojë në kisha apo xhamia, thuhet në raportin e Reuters.
Nga ana tjetër, WHO nuk rekomandon që, për shkak të shpërthimit të Ebolës, në Ugandë të ketë asnjë lloj reduktimi të udhëtimeve apo të tregtisë.
Organizata rekomandon vetëm shmangien e kontakteve me kafshë të ngordhura – veçanërisht me primatë – dhe mosngrënien e mishit të këtyre kafshëve, ngase besohet se i mund të jetë burim i virusit.