Fshehu në tavanin e autobusit 99 700 euro, arrestohet 37-vjeçari në Portin e Durrësit

Arrestohet nga Policia Kufitare e Durrësit një 37-vjeçar pasi fshehu në tavanin e autobusit Bari-Durrës 99 mijë e 700 euro të ndara në 8 paketime.
Në hyrje të Shqipërisë, Policia ka kaluar në vijën e dytë për kontroll më të detajuar, autobusin “Scania” të linjës Durrës-Bari-Durrës, ku kanë konstatuar në tavanin e autobusit 8 paketime me kartëmonedha në euro, gjithsej 99 700 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Policia sqaron se “Në vijim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Rr., 37 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
/rtsh.al/