E Diel, 1 Nëntor 2026

Fule: Ngërçi vazhdon, por vizat do të hiqen

Rasti “Pango”: Po monitorojmë shqetësimet mbi lirinë e medias

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, në një intervistë ekskluzive për “Top Channel” komenton krizën politike, dështimin e kompromisit në Strasburg, liberalizimin e vizave, statusin kandidat dhe shqetësimin për lirinë e medias. Në lidhje me ndikimin e krizës në hapat e mëtejshëm të raporteve të Shqipërisë me BE-në, Fule tha se u takon vendeve anëtare të vendosin, por ai ka konfirmuar se raporti i komisionit do të jetë përgjithësisht pozitiv...

Komisioner, ngërçi politik ka lënë në hije gjithçka tjetër në Shqipëri. Ju ofruat ndihmesën përmes shërbimeve tuaja ndaj iniciativës së nisur nga Daul dhe Schultz, një iniciativë që dështoi me sukses. Pse? çfarë ndodhi?

Së pari, ju keni absolutisht të drejtë që ngërçi politik po qëndron aty prej një kohe goxha të gjatë, që prej zgjedhjeve të fundit. Daul dhe Schultz, liderët e dy familjeve më të mëdha politike ofruan me të vërtetë hapat e radhës që ishin shumë inkurajues nga Parlamenti Europian. Ne luajtëm një rol të vogël duke i asistuar ata. Mendoj se ishin përpjekje të sinqerta për të ndihmuar partitë politike në Shqipëri për të gjetur një zgjidhje, një zgjidhje transparente në kuadër të Kushtetutës shqiptare. Ne mund veç të ndihemi të keqardhur tashmë dhe ne ndihemi të gjithë kështu së bashku me kolegët në Parlamentin Europian, që partitë politike, nga njëra anë, qeveria e opozita në tjetrën, nuk e përdorën këtë mundësi.

Por çfarë ndodhi? Ata nuk ju dëgjuan juve? Nuk dëgjonin njëri-tjetrin? Apo thjesht nuk donin që ta zgjidhnin këtë çështje?

Më lejoni të them vetëm që ata nuk arritën marrëveshje, për të qenë në rregull. Ato ishin diskutime pas një dere të mbyllur, e unë nuk do të shpalos se çfarë realisht ndodhi përtej këtyre dyerve të mbyllura, që për më tepër ishin diskutime që u drejtuan vërtet nga zoti Schultz e zoti Daul. Për fat të keq e vërteta është se pavarësisht pranisë së opozitës në Parlament, ne nuk arritëm në një marrëveshje dhe mirëkuptim politik që do të mënjanonte ngërçin politik, e që do t'i hapte rrugën Kuvendit e partive parlamentare për të punuar në harmoni, veçanërisht për axhendën europiane. Kur unë isha në Tiranë, e kudo që kam takuar politikanë nga Shqipëria, kam theksuar një pikë shumë të rëndësishme që stabiliteti i institucioneve, të pasurit të një Parlamenti që punon, është vërtet një nga kërkesat më kyçe, që prek kriterin politik të Kopenhagës.

Ju hytë në këtë lojë 10 muaj pasi vijonte kriza politike. Pse zgjodhët këtë moment për të ndërhyrë dhe a do të ketë më takime të tjera që mund të vijojnë në nivel të lartë sikundër qarkullojnë zëra?

Nuk hyra në të vërtet unë si mediator, po ishte Parlamenti Europian që tentoi.

Me "Ju" nënkuptoj Bashkimin Europian.

Më duhet të them që në pozicionin tim kam respekt të plotë për partitë kryesore politike në Shqipëri. Ajo që dua të them është se Shqipëria ka bërë një progres të madh. është vend anëtar në NATO, është një vend që kur e krahason me 30, apo 40 vjet më parë, vëren progres të stërmadh. Jam një prej atyre që kanë besim të plotë se nëse të dy palët kanë vullnet të mjaftueshëm, ata gëzojnë instrumentet e duhura politike dhe një kuadër të qëndrueshëm politik, për të gjetur zgjidhje.

Në Luksemburg, ju u shprehet se synimi i Komisionit ishte të publikonte opinionin për aplikimin e Shqipërisë në nëntor. Nëse ngërçi politik nuk do të zgjidhet në kohë, a do të publikoni një opinion negativ apo do të preferonit ta shtynit publikimin e mendimit tuaj për në një moment tjetër?

Do të jetë opinion objektiv. E përderisa ne po vazhdojmë të punojmë për të, është shumë herët për të thënë se si do të jetë rekomandimi. Jam ende i vendosur për ta publikuar atë si pjesë të paketës së zgjerimit, në nëntor të këtij viti dhe si një tablo e vërtetë, objektive e situatës dhe zhvillimeve në Shqipëri, opinioni me mjaft objektivitet do të reflektojë gjithçka ka ndodhur deri tani.

Në nisje të iniciativës së tyre, Daul dhe Schultz, u shprehën, në letrën dërguar Kryeministrit e shefit të opozitës, se do të preferonin të ngrinin procesin integrues në mënyrë që vendi të mos rrezikonte një opinion negativ nga Komisioni. A mendoni se janë serioze? A ka shanse që kjo gjë të ndodhë për Shqipërinë?

Më lejoni të jem ndoshta edhe më shumë korrekt politikisht për këtë gjë, pasi nuk dua të komentoj mënyrën e të menduarit të Parlamentit Europian. Parlamenti Europian në njërën anë e Këshilli Europian në tjetrën, janë ata që marrin vendimet, bazuar në rekomandimin tonë dhe rekomandimet tona bazohen në qasje shumë pragmatike dhe praktike, si kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave edhe kur është fjala për opinionin. Siç e thashë opinioni do të jetë objektiv, shumë i drejtë, një vlerësim i hapur nëse Shqipëria i plotëson apo jo të gjitha kriteret, të gjitha pjesët e kriterit politik të Kopenhagës. Do të ketë një rekomandim pasues dhe më pas u takon vendeve anëtare që të vendosin.

Ju keni insistuar gjithmonë për një proces teknik strikt të kushtëzuar për liberalizimin e vizave. Por nga momenti që propozimi përfundimtar do të kalojë ndaj Parlamentit Europian dhe Këshillit, a mendoni se ky proces mund t'i shpëtojë vendimmarrjes politike, dhe të mos ndikohet nga ngërçi politik që vijon prej një kohe të gjatë tashmë?

Varet nga vendet anëtare dhe Parlamenti Europian, sepse të dy duhet të vendosin. Ju keni plotësisht të drejtë që Komisioni ishte shumë i vendosur ndaj udhërrëfyesit që ramë dakord me Shqipërinë. Ne ishim shumë të vendosur për të mos ndryshuar rregullat e lojës, në mes të lojës, dhe të kishim ca kritere shtesë. Më duhet të them se udhërrëfyesi tregon mjaft qartë vendosmërinë e mirë dhe punën e shkëlqyer të autoriteteve shqiptare, sepse me përjashtim të dy apo disa çështjeve, që mendoj se ka një mundësi që Shqipëria t’i përmbushë gjatë verës. Të gjitha çështjet janë zbatuar sipas planit dhe kjo është arsyeja pse bazuar në rekomandimin pozitiv të Komisionit shpresoj që qytetarët shqiptarë do të lëvizin së shpejti në zonën Shengen pa pasur nevojë për viza.

Pra, ju thoni se kjo situatë nuk do të ndikojë në procesin e vlerësimit teknik. As në vendimin në Këshill?

Kjo situatë nuk ndikon në vlerësimin teknik të komisionit dhe misionet teknike që shkojnë në Shqipëri në mes të verës për të parë zbatimin e dy-tri çështjeve brenda kuadrit teknik dhe përkufizimit të udhërrëfyesit. Për sa i takon pjesës së Komisionit nuk ka pasur pyetje shtesë.

Komisioni ka nisur tashmë përpunimin e Progres-Raportit mbi Shqipërinë. Përveç kriterit të Kopenhagës, ngërçit politik, ku është Shqipëria në reformat e tjera kyçe si: ekonomia, shteti ligjor, gjyqësori, administrata etj?

Mendoj se në përgjithësi tabloja është pozitive. Fakti që vendet anëtare i kanë kërkuar komisionit të përgatisë opinionin, është një shenjë e njohjes së progresit për Shqipërinë. Nga ana tjetër, natyrisht që shteti ligjor, të drejtat themelore, paanësia dhe paanësia e gazetarisë, e gjyqësori, liria e medias, janë çështje ku kërkohet të bëhet shumë punë. Sesi do t’i vlerësojmë konkretisht këto çështje dhe çfarë rekomandimesh do të japim bazuar në rezultatet kjo është ende në proces e sipër sepse ende nuk e kemi përfunduar punën tonë.

Ju përmendët dy herë gjatë fjalës suaj lirinë e medias. Pra ju i keni ndjekur vërejtjet dhe shqetësimet e fundit në lidhje me lirinë e medias. Siç e dini ka një vendim të gjykatës së shkallës së parë kundër televizionit “Top Channel”, në favor të një ish- ministri me pretendimit se këtij të fundit i është cenuar jeta private nëpërmjet regjistrimit me kamera të fshehtë. Doja të dija se cili është opinioni juaj në lidhje me këtë çështje?

Nuk do ta komentoj këtë rast të veçantë, por do të konfirmoj se ne jo vetëm monitorojmë të gjitha rastet e veçanta dhe shqetësimet mbi lirinë e medias siç monitorojmë të gjitha rastet që kanë të bëjnë me pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqtarëve dhe gjykatave.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›