E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule, nesër në Tiranë: Shpresoj në zgjidhjen e ngërçit politik

Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë, Stefan Fule, do të vizitojë Shqipërinë më 19 mars. Përpara kësaj vizite në Tiranën zyrtare, komisionari Fule ka dhënë një deklaratë, duke shpresuar në zgjidhjen e ngërçit politik para vizitës së tij në Tiranë. Sipas tij, situata duhet zgjidhur me një dialog brenda Kuvendit dhe u bëri thirrje liderëve politikë të vijojnë me reformat. Shpresoj shumë që ngërçi që lidhet me pjesëmarrjen aktive në Kuvend të deputetëve të Partisë Socialiste, të mund të zgjidhet para vizitës sime dhe do t'u bëja thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të punojnë së bashku, në mënyrë që Shqipëria të çojë përpara reformat e duhura në të mirë të vetë qytetarëve të saj, si edhe në të mirë të aspiratave të saj evropiane, - deklaroi Fule. Komisioneri Fule po zhvillon vizita në vendet e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar përparimin e secilit prej këtyre vendeve në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas zyrës së shtypit të Komisionit Evropian në Tiranë, ai do të takohet me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, me Kryeministrin Sali Berisha, me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›