E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Funari nën dëborë, Rama ndan pamjet

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Fshati i Funarit është një prej mrekullive natyrore të Elbasanit, që është kthyer në një prej destinacioneve turistike më të vizituara gjatë gjithë vitit. Në këtë muaj janari të ftohtë, me uljen e temperaturave dhe reshjet e borës në disa zona të vendit, edhe Funari është mbuluar nga “petku” i bardhë i borës dhe pamjet janë vërtet mbresëlënëse.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamjet e Funarit të Elbasanit, ku duken peizazhet e liqeneve dhe maleve të mbuluara me borë.

Rreth 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit, Funari është fshati që ndrin buzë liqenesh i rrethuar me pyje dhe gjelbërim. Ajo që e bën akoma më tërheqës është ngjyra e gjelbër e ujit të liqeneve, e cila krijon një vezullim prej smeraldi.

Është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene, apo rezervuarë, të ndarë në dy brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë. I pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë edhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›