“Fundi i një rrugëtimi!”, Cikalleshi e mbyll me Kombëtaren: Suksese shokëve në EURO 2024

TIRANË, 28 maj/ATSH/ Sulmuesi Sokol Cikalleshi njoftoi këtë të martë se rrugëtimi i tij me ekipin kombëtar të Shqipërisë ka përfunduar.
Në një postim në rrjetet sociale, bomberi nga Kavaja shpreh mirënjohjen e tij për ato që ka arritur në fushën e blertë me Kombëtaren.
“Fundi i një rrugëtimi!”, nis postimin e tij Cikalleshi.
“Rrugëtimet janë të bukura, me uljet e ngritjet e veta. Gjatë rrugëtimeve nëse gjërat i ke bërë siç duhet, fundi është i lumtur, paçka se, jo gjithmonë e zgjedhim vetë mënyrën.
Ka qenë një krenari dhe emocion i papërshkueshëm përfaqësimi i fanellës së ekipit kombëtar të futbollit. Bartja e emocioneve të një kombi mbi shpinë, është sa privilegj, aq edhe një përgjegjësi, cila më ka bërë të përunjur dhe mirënjohës ndaj çdokujt dhe besoj, ndaj çdokujt që më dha kurajo për të vazhduar, e pa dyshim, në mënyrë të veçantë ndaj çdokujt që brohoriti për mua”, vijon ai.
“Ashtu siç, çdo fillim e ka një fund, edhe rrugëtimit tim me ekipin kombëtar të futbollit i erdhi fundi! Ndihem i lumtur për çka bëra gjatë këtij rrugëtimi, ku dhashë pa kursimin më të vogël pikën e fundit të djersës dhe shpirtin për të bërë më të mirën e mundshme. Falënderoj Zotin për gjithçka më ka dhënë në jetë, familjen për mbështetjen, tifozët Kuq e Zi që meritojnë shumë më shumë sesa ne kemi dhënë në fushën e blertë. Lutem Zotit që shokët që do vijojnë rrugëtimin në Euro2024 të kenë sukses dhe të bëjnë një paraqitje dinjitoze”, përfundon Cikalleshi.
1 nga 4/a.f/r.e/