Funerali i Mbretëreshës, presidenti Joe Biden mbërrin në Londër

Presidenti amerikan Joe Biden, ka mbërritur në Londër përpara funeralit të Mbretëreshës Elizabeth II, që do të zhvillohet nesër. Biden është në mesin e rreth 500 krerëve të shteteve dhe personaliteteve të huaja që vijnë në Londër, një mbledhje e liderëve botërorë që nuk është parë për dekada. Kryeministrat e Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re, janë tashmë në Mbretërinë e Bashkuar.
Polemika rrethon disa nga të ftuarit, si Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman. Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau, i Australisë Anthony Albanese dhe kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern, liderë të tjerë të Commonwealth, që pritet të marrin pjesë duke përfshirë kryeministrin e Bangladeshit Sheikh Hasina dhe presidentin e Sri Lankës, Ranil Wickremesinghe. India do të përfaqësohet nga presidenti, Droupadi Murmu.
Presidenti francez Emmanuel Macron, ai gjerman Frank-Walter Steinmeier, si dhe presidenti italian, Sergio Mattarella, janë ndër liderët e tjerë botërorë që pritet të marrin pjesë. Të pranishëm do të jenë edhe anëtarë të familjeve mbretërore nga e gjithë Evropa.
Shumë nga të ftuarit pritet t’i bëjnë nderimet e tyre mbretëreshës në shtëpinë e saj në Westminster Hall, si dhe të nënshkruajnë në një libër ngushëllimi në Lancaster House.
Por fokusi do të jetë një pritje zyrtare shtetërore e organizuar nga Mbreti Charles III në Buckingham Palace të dielën. Ftesa për Princin e Kurorës dhe sundimtarin de facto të Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman (i njohur si MBS), ka rezultuar e diskutueshme.
Ai akuzohet se ka urdhëruar vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi brenda Konsullatës Saudite në Stamboll, Turqi në vitin 2018, një akuzë që Princi i Kurorës dhe qeveria e tij e mohojnë.
Një tjetër ftesë që ka sjellë kritika është ajo për Presidentin e Kinës Xi Jinping, për shkak të akuzave për krime kundër njerëzimit të ngritura ndaj qeverisë kineze. Por nuk do të jetë presidenti Xi që do të marrë pjesë në funeral. Në vend të tijdo të jetë zëvendëspresidenti Wang Qishan, që do të udhëtojë në MB.
Përfaqësues nga Rusia, Bjellorusia, Mianmari, Siria, Venezuela dhe Afganistani nuk janë ftuar. Irani, Koreja e Veriut (DPRK) dhe Nikaragua janë ftuar vetëm nivel ambasadorësh. BBC
/rtsh.al/