E Shtunë, 31 Tetor 2026

Funerali nuk mund të kthehet në festë!

Në se ka ndonjë hapësirë në botë ku çudia më e madhe zgjat vetëm tri ditë, ajo padyshim është Shqipëria. Vetëm ky muaj, me disa episode futbollistike të ndodhura gjatë tij, është boll i mjaftueshëm për t’na e vërtetuar këtë. Sapo fituam ndaj përfaqësueses qipriote në startin e eliminatoreve për finalet e Botërorit 2014, përjetimi qe i tillë sikur të kishim kaluar ylberin, edhe pse ajo që shfaqëm n’atë ndeshje nuk ishte aspak bindëse! Por, ende pa u mbushur tri ditë, u harrua ajo se çfarë kishte ndodhur në Tiranë, për të nisur kryqëzatën e radhës, këtë herë në Zvicër, ku karvani i mijëra tifozëve u ndërsye drejt një “çudie” tjetër që, siç dihet, veç humbjes u shoqërua edhe me ngjarje të tjera, të turpshme sa s’ka më! Dhe, sikur të mos mjaftonin rastet e mësipërm, këto ditë u shfaq një farsë tjetër që përsëri polli një “çudi”, e ngjashme për nga sajesa e lindjes dhe e zhdukjes së saj, me ato të mëparshmet. Është fjala për të ashtuquajturin “derby”, mes Tiranës dhe Partizanit, që nga një gjendje funerali, (për vetë kushtet e rënda në të cilat ndodhet ekipi dikur i lavdishëm, tashmë i endur si jetim dhe pa asnjë përkujdesje nëpër kategoritë inferiore), deshën ta kthejnë në një farsë festive!? I ardhur thuajse nga zhdukja, prej kategorive më të ulëta të futbollit tonë ku po rropatet prej shumë kohësh, shorti e caktoi ekipin e Partizanit, dikur ikonë të të gjithë shqiptarëve, që të ndeshej në një takim rutinë për turin e parë eliminator në këtë edicion të Kupës, ndaj Tiranës, që nga ana e saj vazhdon të jetë përsëri ndër më të mirat e vendit. Vetë largësia që i ndanë tashmë këto dy skuadra, jo vetëm për nga lloji i kategorive ku ndodhen, por sidomos nga strukturat e përmbysura të klubit tashmë inferior, i mbetur pa asnjë shtyllë mbështetëse, veç emrit të tij të keqpërdorur, që gjithsesi zgjon ende kujtime dhe nostalgji, nuk premtonte për ndonjë mrekulli. Megjithatë, ustallarët e këqij të këtij futbolli të sakatosur, të cilët me sa duket nuk duan ta ngrenë asnjëherë në këmbë, bënë të gjitha përpjekjet për të pjellë një tjetër “çudi” nëpërmjet kësaj ndeshjeje, për të fshehur kështu plagët e vërteta të këtij sporti, që e kanë kthyer atë në një ulok. Për t’ja arritur qëllimit të tyre të mbrapsht, ata mobilizuan të gjithë tv-të si dhe shumicën e gazetave kryesore të vendit, për t’i dhënë të ashtuquajturit “derby” vlerat e së bukurës që, medemek, vazhdojnë të mbijetojnë ende në futbollin shqiptar!? Kësaj i shërbeu e gjithë ajo tymnajë e hedhur këto ditë nëpërmjet lajmesh, intervistash e deklaratash të pafundme. Pyetje të tilla si: A do të zhvillohet kjo ndeshje në stadiumin më të madh të vendit; do të luhet me drita apo jo; cilët do ta marrin përsipër organizimin e këtij takimi, e të tjera dyshime intriguese të kësaj natyre- spekulative, dëgjoheshin kudo, sikur të bëhej fjalë për një ballafaqim të kalibrit Barcelona-Real i Madridit, kur në fakt po flitej për një “derby” krejtësisht formal e ndërkohë ireal, që ekziston vetëm në letër - si kujtesë historike, sepse mirëfilli dihet se Partizani i sotëm është thjesht një fantazmë e skuadrës së dikurshme. Thuajse e falimentuar, me lojtarë fare të panjohur, të cilët luajnë pa asnjë mbështetje financiare dhe pa ndonjë frymëzim të caktuar, skuadra e Partizanit u trajtua si një parodi tallëse këto ditë, kur fare mirë asaj dhe publikut të shumtë që e do, mund t’i kursehej kjo farsë dhe t’i tregohej realisht gjendja mjerane ku ajo ndodhet si dhe shkaktarët që ja shkaktuan këtë fatkeqësi. Përgjegjësit e masakrës ndaj këtij klubi, dikur fenomenal, paturpësisht e sollën emrin e tij në këtë “derby”, të veshur me një varak të ç’ngjyrosur e të sajuar si mos më keq. Panagjerizmi i pafund, për një rizgjim të bukuroshes së fjetur, kur ajo në fakt është kthyer në një kufomë që po jep shpirt dhe që në agoni e sipër vazhdon të flasë përçart, u përdor edhe këtë herë si maskë - fshehjeje për futbollin tonë të kalbur.
Aktualisht, Partizani kërkon të jemi të sinqertë me të, po kështu edhe me publikun e tij të gjerë që dikur çmendej prej euforisë së sukseseve të ekipit të zemrës. Të luash rolin e karagjozit-festiv me të dhe me simotrën e saj, Dinamon, gjithashtu viktimë e matrapazllëqeve, është një mëkat i madh. Se, ja, ndeshja “derby” u luajt, por çfarë ngjau pas saj? Partizani mbeti ai që ishte, i mbuluar nga lëngata që e ka vënë poshtë prej kohësh. Madje, edhe po ta fitonte atë ndeshje, atij nuk do t’i shtoheshin vlerat që kishte dikur; as fushat e stërvitjes nuk do t’i riktheheshin, e po kështu, edhe streha ku dikur lulëzonte. Siç ishte para kësaj ndeshjeje, ai përsëri jetim mbeti. Pikërisht, për gjendjen e tij-pa rrugëdalje duhej të ziente media këto ditë kur u luajt “derby” dhe jo të përpiqej të bënte atë që i ngjante të pabesueshmes, për ta kthyer funeralin në festë!.. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›