Furnizimi me ujë në Kukës, Këshilli Bashkiak diskuton rreth marrjes së masave

Këshilli Bashkiak ka diskutuar situatën e furnizimit me ujë të qytetarëve në këtë periudhë të nxehtë të thatë vere. Përfaqësuesi i Drejtorisë së Ujësjellësit, Xhevdet Cengu, në raportimin e tij para këshillit tha se situata aktuale e prurjeve në dy burimet kryesore nuk arrin të furnizojë qytetin me shumë se 3 orë gjatë 24 orëve.
“Jemi munduar që ti furnizojmë normalisht të gjithë qytetarët”, u shpreh Cengu.
Këshilltari, Arif Rexhmati, tha se edhe ky orar nuk është korrekt me qytetarët dhe nuk menaxhohet sipas nevojave që kanë qytetarët.
Kryetari i Bashkisë, Albert Halilaj tha se do ndërmerret aksion ndërinstitucional për të menaxhuar situatën aktuale duke kontrolluar e ndërprerë lidhjet e paligjshme në rrjet por edhe për të përmirësuar treguesit financiar të ujësjellësit.
“Brenda datës 20 korrik, një grup pune në lidhje me problematika për ndërhyrje te paligjshme në rrjet”, tha Halilaj.
Paralelisht sipas kryetarit të bashkisë do të sigurohet financimi për zgjerimin kapacitetit bartës të tunelit të Kolesjanit në veprën marrëse për të pasur më tepër sasi uji në rrjet.
“Hyrja në Kolesjan të zgjerohet që të bëj të mundur furnizimin me ujë”, tha ai.
Thatësira e tej zgjatur dhe mungesa e reshjeve kanë ndikuar në rënien e prurjeve në dy burimet kryesore që furnizojnë ujësjellësin e Kukësit.
/rtsh.al/