Fusha e Maliqit ende e përmbytur, humbje të mëdha për fermerët këtë sezon

Mbi 300 hektarë me kultura të ndryshme bujqësore vijojnë të mbeten nën ujë në fushën e Maliqit. Situata më problematike paraqitet në zonën torfike, ku sipas autoriteteve vendore përmbytjet dhe djegiet natyrale kanë sjellë ulje të nivelit të tokës në qindra hektarë.
Nënkryetari i bashkisë, Eridjon Rustemi, shprehet se “për të shmangur situata të tilla nevojiten investime të mëdha në sistemin kullues dhe vadites”.
Mes fermerëve të prekur janë edhe Arben Beqari dhe Bardhyl Beqiraj nga fshati Vreshtas, të cilët thonë se kanë humbur pothuajse të gjithë prodhimin bujqësor të mbjellë këtë sezon.
Sipas tyre, përmbytjet kanë lënë pa të ardhura edhe shumë familje të tjera të zonës.
Përmbytjet në fushën e Maliqit nisën pas çarjes së dy argjinaturave të lumenjve Devoll dhe Dunavec në dhjetor të vitit të kaluar, ku u përmbytën mbi 4 mijë hektarë tokë. Edhe pse kanë kaluar pesë muaj nga ngjarja, mbi 300 hektarë vijojnë të mbeten ende nën ujë.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/