Fushata, Arvizu: Militantët të mbajnë nën kontroll pasionet
Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka zhvilluar një takim me drejtorin e Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, lidhur me tensionet dhe incidentet gjatë fushatës elektorale.
Arvizu ka kërkuar nga ana e militantëve të partive që të kontrollojnë pasionet e tyre dhe të zbatojnë ligjin.
Mbështetësit e partive politike mund ta bëjnë më të lehtë punën e Policisë së Shtetit duke mbajtur pasionet nën kontroll dhe duke zbatuar ligjin. Këtë shpreson dhe pret SHBA, theksoi Arvizu pas takimit me Burgaj .
Qartazi njerëzit shprehin pasionin e tyre për kandidatët dhe partive të tyre. Ka pasur disa incidente, fatkeqësisht kanë ndodhur. Por, Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe stafi i tij na kanë siguruar se janë të përkushtuar që të ofrojnë një periudhë parazgjedhore dhe në ditën zgjedhore të qetë dhe te paqtë. Drejtori Burgaj shprehu përkushtimin për neutralitetin e Policisë së Shtetit, vijoi Arvizu.
Vetë Burgaj ka thënë se deri më tani janë shënuar vetëm tre incidente, por ato kanë qenë raste të lehta.
Në këto momente që flasim gjithçka është normale pavarësisht disa incidenteve te lehta, me pasoja dhe dëme të lehta në tre raste. Po monitorojmë në gjithë territorin e vendit dhe Policia e Shtetit do zbatojë ligjin duke respektuar liritë e qytetarëve për të votuar të lirë, tha Burgaj, duke mos komentuar përdorimin e punonjësve të policisë nga ana e mazhorancës gjatë kësaj fushate./b.l