E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata e PD dhe PS, ja njerëzit dhe firmat që sponsorizuan

TIRANE - Plot 340 mijë euro i ka kushtuar Partisë Demokratike konsulenca për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit që ka marrë nga kompania irlandezo-amerikane. Kjo është shuma që pasqyrohet në raportin e auditit të fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga selia blu për fushatën zgjedhore, ku natyrisht janë bërë publik dhe 62 sponsorët e mëdhenjë që kanë mbështetur me shuma mbi 100 mijë lekë këtë forcë politike ne zgjedhje. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka vendosur dje të bëj publike raportet e të gjitha subjekteve politike pjesmarrëse në këto zgjedhje, ku një rëndësi të madhe merr ai i hartuar për të ardhurat dhe shpenzimet e PD-së, e cila ka siguruar mbështetjen më të madhe financiare nga subjektet private si dhe ka bërë shpenzimet më të mëdha të dokumentuara.

Të ardhurat

Raporti i auditit të të ardhurave dhe shpenzimeve të Partisë Demokratike për vet volumin e madh të punës është organizuar i ndarë në dy pjesë, një për të dhënat e selisë qëndrore të PD-së dhe një për të gjitha degët e kësaj force në rrethe. Kështu, përsa i përket të ardhurave ato janë siguruar nëpërmjet katër rrugëve, nga buxheti i shtetit, nga burime të partisë, nga sponsorizimet dhe nga kuotizacionet. Në total nga të katër rrugët e sipërcituara PD ka siguruar 150.2 milionë lekë të reja ose 7 milionë më pak sesa shpenzimet e kryera, nga të cilat 16.5 milionë nga buxheti i shtetit, 50 milionë nga burime të vetat, 79.8 milionë nga sponsorizime dhe 3.5 milionë nga kuotizacionet. PDSH në qëndër ka siguruar 95.3 milionë lekë, nga të cilat vetëm 26.7 milionë lekë nga sponsorizimet, ndersa degët e kësaj force kanë mundur të sigurojnë 54 milionë lekë nga të cilat 53 milionë nga sponsorizimet. Selia qëndrore e PD-së shumicën e lëkëve të siguruar nga donancionet e ka të vlerave më të mëdha se 100 mijë lekë, ndersa degët shumicën e lekëve të siguruara nga kjo rrugë e kanë të shumave më të vogla se 100 mijë lekë, çka ka bërë që shumica e sponsorizuesve të mos njihet. Nga sponsorizuesit e PD-së në qëndër vihet re se Bedri Ruta, Xhafer Xhako, Myrteza Karalliu, Fatos Çela, Saimir Neza dhe Edmond Bllako kanë dhuruar shumat më të mëdha të mundëshme, pra nga 1 milionë lekë secili. Ndersa në degët e PD-së në rrethe sponsorizuesit më të mëdhenjë kanë qënë vet kandidatët të cilët kanë vënë në shërbim të fushatës shuma të konsiderueshme parash. Kështu, Paulin Sterkaj ka dhuruar 150 mijë lekë, Gjok Uldedaj 150 mijë lekë, Kreshnik Cipi dhe Ardian Kollozi nga 1 milionë lekë. Nderkohë dega e PD-së që ka siguruar më shumë të ardhura nga donacionet ka qënë ajo e Vlorës me 8.9 milionë lekë, e ndjekur nga ajo e Korçës më 4.8 milionë.

Shpenzimet

Partia Demokratike është forca politike që ka kryer edhe shpenzimet më të mëdha se të gjitha subjeket e tjera zgjehdore. Në total ajo ka kryer 157 milionë lekë shpenzime, ose rreth 7 milionë më shumë sesa kanë qënë të arhdurat, pavarsisht se për këtë fakt audituesit nuk japin një shpjegim në raport. Nga kjo shumë pjesën më të madhe të shpenzimeve i ka bërë selia qëndrore e partisë me 102 milionë lekë, ndersa të gjitha degët së bashku kanë kryer vetëm 54 milionë shpenzime. Nga tabelat e dhëna në raport bie në sy se shuma më e madhe e shpenzimeve është bërë për të paguar konsulencën e dhënë nga kompania irlandezo-amerikane "Q4 Public Relations and Penn, Schoen and Berland Associates" e cila në bazë të marrëveshjes së lidhur më 13 janar të këtij viti ka përfituar 340 mijë euro ose 44.8 milionë lekë. Zeri i dytë më i madh i shpenzimeve është ai për hapësirat publicitare për të cilat PD ka paguar një shumë prej 28.5 milionë lekësh, pa përfshirë këtu edhe 5 milionë të tjera për makinat e reklamave që lëviznin gjatë fushatës nëpër Tiranë. 5 milionë lekë ka paguar PD edhe për koncertet në Tiranë dhe në rrethe, ndersa 100 mijë lekë janë paguar për CD e këngës së fushatës. Gati 10 milionë lekë ka shpenzuar kjo forcë politike edhe për karburantin e makinave me të cilat kanë lëvizur kandidatët dhe stafet e tyre mbështetëse. Ndersa pjesa tjetër e shpenbzimeve është kryer për paisje kinkalerike, fishekzjarrje, udhëtime e dieta, sms e telefona, salla me qera etj.


Sponsorizuesit e PD-së që kanë dhuruar mbi 100 mijë lekë

Gëzim Nexhipi 500 mijë lekë
Gëzim Demushi 500
Sofokli Qose 500
Skender Kulli 500
Riza Shijaku 500
Skender Rama 500
Rexhep Demseri 500
Lirim Abazi 500
Besnik Ismaili 500
Farudin Giondeda 500
Arben Mata 500
Matilda Kotorri 300
Genci Lufi 300
Gani Vlashi 300
Tomi Papadhopulli 300
Ardian Isaku 300
Fitim Mesini 300
Fatmir Mesini 300
Bedri Ruta 1000
Rezart Koçi 142.5
Vojo Avdullaj 142.5
Arianit Hysenaj 190
Amarda Shanaj 190
Xhaferr Xhako 1000
Daniel Xhakerri 142.5
Artur Shehu 190
Sokol Murati 190
Artur Bejleri 475
Ferdinand Saka 475
Roland Petrushaj 190
Xheladin Shtylla 570
Alban Myftari 190
Egi Pinari 190
Mark Lekgjonaj 285
Andi Permeti 190
Klodian Shehu 237.5
Ilirian Laçi 285
Shkëlzen Çekrezi 237.5
Ndrek Gjini 380
Bardha Loci 285
Myrteza Karalliu 1000
Fatos Çela 1000
Arben Alia 500
Emine Çela 500
Pranvera Lalaj 130
Ram Uruçi 700
Selman Harizaj 800
Saimir Neza 1000
Edmond Bllako 1000
Ervin Pëllumbi 430
Lefter Llanaj 300
Genci Mustafaraj 150
Paulin Sterkaj 150
Gjok Uldedaj 150
Gezim Dibra 150
Agron Haxhiraj 1000
Sulo Shehu 1000
Kreshnik Cipi 1000
Ardian Kollozi 1000
Aredin Behari 125
Marin Suli 191
Rami Isufi 125



Sponsorizuesit dhe shpenzimet e Partisë Socialiste

Të qënurit në opozitë e ka bërë të vështirë për Partinë Socialiste të gjej një numër të mjaftueshëm donatorësh për fushatën e shkuar elektorale, çka ka detyruar këtë forcë që për përballimin e shpenzimeve në fushatë të përdorë paratë e saja. Kështu, ndryshe nga Partia Demokratike e cila kishte marrë donacione nga 62 subjekte private që i kanë dhuruar mbi 100 mijë lekë, Partia Socialiste për fushatë në bazë të raportit të auditit të bërë publik nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka mundur të gjej vetëm 17 donatorë të tillë, të cilët në total kanë dhurur një shifer prej 6.8 milionë lekësh të reja. Raporti gjithashtu evidenton faktin se në ndryshim nga PD, socialistët në fushatë i kanë kushtuar një rëndësi shumë të madhe anës publicitare, për të cilën kanë shpenzuar rreth 60 për qind të të ardhurave.

Të ardhurat

Partia Socialiste për fushatën e zgjedhjeve të 28 qershorit në bazë të raportit të auditimit të të ardhurave dhe shpenzimeve, të bërë publik dje ka mundur të sigurojë vetëm 93.6 milionë lekë ose thene ndryshe rreth 60 milionë lekë më pak se kundërshtarja e saj në këto zgjehdje Partia Demokratike. Duke e detajuar këtë shifër, PS ka siguruar 73 milionë lekë nga fondet e veta, 13.6 milionë nga buxheti i shtetit dhe vetem 6.8 milione lëke nga sponsorizimet e 17 dhuruesve. Këtu vlejnë të përmenden "Dajti Ekspres" dhe hotel "Kontinental" që kanë dhuruar nga 1 milionë lekë të reja, ndersa të gjithë sponsorët e tjerë kanë dhuruar shuma më të vogla. Ndersa disa prej tyre kanë dhuruar karburante dhe postera, të cilat kapin vlerën 1.6 milionë lekëve në total.

Shpenzimet

Përsa i përket shpenzimeve socialistët kanë ndjekur një stradegji krejt të ndryshme nga ajo e kundërshtarëve të tyre demokrat. Kështu, ndersa demokratët pjesën kryesore të parave të grmbulluara e kanë shpenzuar për pagimin e kompanisë konsulente, socialistët vëmendjen kryesore e kanë vënë tek reklamat televizive dhe radio. Nga 101 milionë lekët e shpenzuara në fushatë, PS 67 milionë të tyre ose 63 për qind të shumës totale e kanë harxhuar për reklamat, 65 milione për ato televizive dhe 1.8 milionë për ato në radio. Por nuk mjafton me kaq pasi PS ka shpenzuar edhe 11.8 milionë lekë të tjera për hapësira dhe materiale të tjera publicitare si banderola apo tabela të tjera. Ndersa përsa i përket konsulencës së huaj PS ndryshe nga PD ka shpenzuar një shumë prej afro 8 milionë lekësh ose e 83 mijë dollarësh amerikanë me të cilën ka paguar përfaqsuesit e firmës konsulente amerikane "Arthur J.Finkelsteing Associates Inc.SA" me të cilët ka qënë lidhur një kontratë më 22.05.2009. Një zë i veçant shpenzimesh paraqitet në raport edhe paratë e harxhuara për muzikë, për të cilën janë harxhuar 660 mijë lekë, nga të cilat 360 mijë për prodhimin e 3 mijë copë Cd-ve dhe 300 mijë për pagesën e këngëtarëve. Një shumë të konsiderueshme PS ka harxhuar edhe për telefonat fiks, për të cilat i është faturuar nga Albtelekom plot 25 milionë lekë. Ndersa përsa i përket karburantit PS nuk ka harxhuar lekë, pasi ai i është dhuruar në mall nga donatorë të ndryshëm. Në raport bëhet gjithashtu e ditur se për hapjen e fushatës PS ka harxhuar 465 milionë lekë dhe për mbylljen e saj 760 mijë. Kontabilsti që ka kryer auditin e financimeve dhe shpenzimeve të PS-së për fushatë bënë të ditur në raport se kjo forcë ka një shumë të konsiderueshme lekësh ende të pashlyera ndaj disa bizneseve që i kanë ofruar asaj shërbime gjatë fushatës.


Sponzorisuesit e fushatës së PS-së

"Condor" Shpk 645 mijë lekë
"Arela" Shpk 645 mijë lekë
"Matrix Contruktion" Shpk 460 mijë lekë
Shoqata e Investitorëve Italianë në Shqipëri 249 mijë lekë
"Kastrati" Shpk 200 mijë lekë
"Besa R" Shpk 100 mijë lekë
"Albaco Shoes" Shpk 349 mijë lekë
"Dajti ekspers" Shpk 1 milionë lekë
Hotel "Kontinental" 100 mijë lekë
Agim Shenediela 1 milionë lekë
Edmond Ziso 200 mijë lekë
Rodolf Dalipi 20 mijë postera
Hysni Bedo 2 mijë litra naftë
Leonard Mone 2500 litra naftë
Ilir Kure 3 mijë litra naftë
Shkelqim Shehaj 2 mijë litra naftë

Partitë e vogla

Ndryshe nga partitë e mëdha forcat e vogla politike pjesëmarrëse në zgjehdjet e shkuara parlamentare kanë ndjekur një politike tjetër përsa i përket sigurimit të financimit të fushatës zgjedhore. Karakteristikë që vërehet në një sërë raportesh të auditit, është fakti që për të mbuluar shpenzimet e fushatës kanë sponsorizuar vetë kandidatët për deputetë ose figurat kryesore të partive. Një element ky që vihet re më së miri tek G99 dhe tek Partia e të Drejtave e Mohuara e Re, ku siç raportojnë ekspertët kontabël të ardhurat e siguruara janë dhuruar nga vet kandidatët. Falë një praktike të tillë këto dy forca kanë siguruar shuma të konsiderueshme, madje në rastin e PDMRe-së shuma e siguruar nga donacionet ia kalon edhe asaj të PS-së. Ndersa në disa raporte të tjera siç është ai i Partisë demokracia Sociale vërehet se një pjesë e të ardhurave janë shpenzuar edhe për shperblimin e mbështetësve. Nderkohë që siç konfirmojnë ekspertët kontabël shumica e partive të vogla nuk kanë respektuar dispozitat e Kodit Zgjedhor përsa i përket rregjistrimit të financimeve. Kështu shumë prej tyre nuk kanë hapur llogari bankare, ndersa një pjesë tjetër nuk kanë bërë pasqyrimin siç duhet të të arhdurave dhe shepnzimeve. Për të gjitha këto raste KQZ diskutoi dje në një mbledhje të posaçme por pa mundur të marrë një vendim për penalizimin e tyre me gjobë. Shkak u bë pikërisht kundërshtimi i përfaqsuesve të partive të vogla të cilët kundërshtuan propozimin e administratës së KQZ-së për ti gjobitur, pasi sipas tyre për sa kohë ska patur sponsorizime ka qënë e panevojshme hapja e llogariove bankare.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›