Fushata në Durrës/ Sako: Konkurs ndërkombëtar për stadiumin e Durrësit! Cara: Qyteti me rrugë të amortizuara

Kandidatja e PS-së për Bashkinë e Durrësit dhe njëherazi kryebashiakia aktuale, Emiriana Sako dhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara vijojnë fushatën për zgjedhjet e 14 majit, duke i paraqitur alternativat e tyre qytetarëve.
Sako zhvilloi këtë të shtunë (22 prill) një takimi me maturantë të shkollës së mesme Gjergj Kastrioti, ku bëri me dije se së shpejti do të hapet konkursi ndërkombëtar për stadiumin e Durrësit, që, sipas saj, s’do jetë vetëm stadium por qendër gjithëpërfshirëse me salla për të rinjtë apo biblioteka.
Sako tha se do rikonstruktimit do i nënshtrohet edhe Pallati i Sportit, ndërsa shtoi se deri më tani janë ndërhyrë në 19 shkolla ku rreth 8 mijë nxënës në Durrës mësojnë në ambiente moderne.
Në bashkëbisedimin me të rinjtë e shkollës së mesme që votojnë për herë të parë, Sako tha se bashkia ka shumë projekte për të rinjtë, të cilat lidhen me arsimimin, argëtimin e tyre dhe kalimin e kohës së lirë.
“Kemi finalizuar rikonstruksionin e rreth 19 objekteve arsimore duke bërë të mundur që rreth 8 mijë nxënës, mësues bëjnë mësim në kushte bashkëkohore me standarde europiane. Po përgatitemi për të filluar konkurs ndërkombëtar për stadiumin e Durrësit.
Nuk do të jetë vetëm stadium por qendër gjithëpërfshirëse që do të ketë shërbime dhe për asete që na mungojnë në qytet, salla për të rinjtë apo biblioteka. Përveç stadiumit, kemi në plan të bëjmë rikosantruksionin e Pallatit të Sportit”, tha Sako.
Nga ana tjetër, Cara i është përgjigjur duke postuar në Facebook imazhin e një rruge në gjendje të keqe, ndërsa akuzon Sakon për propagandë. Ai i kërkon votën qytetarëve duke premtuar se do të zgjidhë të gjitha shqetësimet e tyre.
“Përballë propogandës sfidon realiteti. Kjo rrugë është në Spitallë. Në të gjithë Durrësin ka rrugë të amortizuara në të njëjtën gjendje, si në qendër, ashtu edhe në periferi. Do te jem aty dhe kudo, jo vetëm tani, por edhe pas 14 majit për të zgjidhur problemet dhe shqetësimet e banorëve të Durrësit. Në 14 Maj, bashkë bëjmë ndryshimin!”, shkruan Cara.
/rtsh.al/