Fushata presidenciale, demokratja Harris zhvilloi takime në Arizona, republikani Trump në Montana

Kandidatja presidenciale demokrate Kamala Harris takimin elektroral të radhës e zhvilloi në Arizona. Ajo u prit nga rreth 15 mijë persona, duke përfshirë disa demonstrues pro-palestinezë që i ndërprenë fjalën.
Harris është përballur me zemërimin e votuesve liberalë të cilët nuk pajtohen me mbështetjen e saj ndaj Izraelit lidhur me luftën në Gaza. “Bashkë me presidentin po punojmë çdo ditë për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe për të rikthyer pengjet në shtëpi” – tha Harris, duke shtuar se ajo respektonte thirrjet e tyre, por në atë takim ishin mbledhur për të folur për garën presidenciale.
Ndërkohë, Trump mbajti një tubim në Montana, një shtet që republikanët e kanë fituar në çdo garë presidenciale që nga viti 1996. Në një fjalim që zgjati mbi 90 minuta, Trump i cilësoi demokratët si ekstremistë të majtë. Ai sulmoi sërish rivalen Harris, duke e quajtur atë të çmendur ndërsa vijoi kritikat se ajo ende nuk ka dhënë asnjë intervistë që kur u bë kandidate e demokrateve për presidente.
Montana, ku Trump mbajti takimin elektoral të kësaj jave, nuk është mes shteteve kyçe për garën presidenciale, por pritet të vendosë se cila parti do të kontrollojë Senatin anmerikan vitin e ardhshëm.
Gazetare Vjollca Zharri
/ rtsh.al /