E Diel, 1 Nëntor 2026

Futboll politik

• Martin LekaGrupi i Auditit të Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, i cili vetëm një ditë më parë kishte zbarkuar me bujë në Federatën Shqiptare të Futbollit, ka bërë të ditur anulimin e këtij kontrolli për një periudhë të pacaktuar, ose thënë ndryshe - siç citohet nga zyrtarët e ministrisë, deri në një urdhër të dytë. Një zyrtar i kësaj ministrie, po dje, dha edhe disa detaje, duke u shprehur pa ekuivok se objekt i këtij kontrolli do të jene vetëm fondet që i janë dhënë federatës nga buxheti i shtetit dhe ka specifikuar se në kontroll nuk do të jenë për objekt fondet që kanë të bëjnë me FIFA-n dhe UEFA-n. Ky akt, vjen vetëm një ditë pasi një tjetër zyrtar i lartë i kësaj ministrie, numri dy i saj, u shpreh qartë dhe hapur, madje me tone të ashpra e forcë, se vartësit e tij, anëtarë të grupit të Auditit, do të vepronin sipas ligjeve të shtetit shqiptar, duke lënë qartë të nënkuptohej se nuk merakosej fare për ato që thotë FIFA, UEFA apo Mishel Platini?! Pa dashur të futesh në detaje, gjithçka që po krijohet rreth raporteve të ministrisë dhe federatës, ka në bazë të saj një konflikt të kahershëm mes zyrtarëve të djathtë dhe kreut të kësaj federate, zotit Duka. Duket qartë se gjithçka vihet në lëvizje dhe është në funksion të goditjes ndaj “Dukës së fundit”, të fundmit të mbetur nga dinastia e “zemunëve”?!... Këto cilësime me efekte elektorale të liderit të demokratëve, duket se kanë mbetur, jo si relike të qarta fushate, ku mund të shpifësh, të gënjesh e të manipulosh vetëm në funksion të votës dhe pushtetit, por si “risi” tek ndonjë fraksion, grup apo klan i të djathtëve, për t’i rikujtuar shefit të qeverisë “besnikërinë” e tyre, në këmbim të rehatisë së tyre servile. Nuk ka si mund të shpjegohet ndryshe kjo këmbëngulje prej “mushke” e ndonjë zyrtari për të çuar deri në fund “krenarinë” epike, edhe pse kjo mund të ishte me pasoja për një grup shumë më të gjerë interesash, përfshirë edhe vetë politikën dhe ekzekutivin. Sepse për arsye të tilla banale, janë shumë të rralla ato vende evropiane ku mund të përjashtohesh nga institucione me peshë relativisht të madhe publike, siç janë FIFA apo UEFA. Nëse nuk do të performonin “rezonancë” politike, gjithçka do të zhvillohej pa bujë, pa u vënë re, pa u bërë objekt për publikun, pa dyndur gazetarë e reporterë, kamera e mikrofona për të ndjekur tre nëpunës administrate, tre kontrollorë të vënë në siklet nga shefat e tyre, të cilët, duket se vetëm për këtë arsye, mbajnë telefonat në dorë apo bëjnë sikur flasin me dikë për t’iu larguar emocionit që shkaktohen në kësi rastesh. Por, tërheqja e “butë” duket se është më e mira që mund të bëhej. Kjo pasi kreu i institucionit më të madh të futbollit, u shpreh pa ekuivok se do të ishte përkrah federatës e presidentit të saj në këtë konflikt me shtetin. Nëse përdorim terma të lojës së futbollit, duket se shteti shqiptar nga njëra anë dhe federata e UEFA-s nga ana tjetër, po përdorin përkatësisht taktika të ndryshme. Nëse i pari u hodh në sulm e gjeti një mbrojtje solide tek kundërshtari, tashmë u tërhoq në këtë stil me një veprim të matur taktik.Në këtë situatë “të qetë” mes palëve, duket se të dyja “skuadrat” kanë ndërmend ta mbyllin lojën me nga një pikë. Në barazim. Që do të thotë, mirë për të dyja. Por, nëse do të shikonim rrezikun e një tjetër “rezultati”, po të kemi parasysh yryshin që mori kontrolli i ministrisë, duket se të fituara dolën institucionet shqiptare, sidomos publiku e sportdashësit e shumtë, të cilët nuk mund të flenë mes ëndrrave të përjashtimit nga evenimentet ndërkombëtare. Edhe shteti shqiptar gjithashtu, i cili nuk do të tregohet “me gisht” si ndërhyrës në çështje të tilla delikate, edhe pse me justifikime alla tip “në emër të ligjit”!Marrëdhënie të tilla mes një federate sporti e shtetit nuk mund të zgjidhen me klimë force, me klimë përjashtimi. Ato mund të zgjidhen vetëm me oportunitet, bashkëpunime e tolerancë. Duket sikur në këtë rast, “tekniku” i “skuadrës” së shtetit ka qenë për t’u admiruar. Duhet të ketë qenë më lart se një zëvendës/ministër! Duhet të ketë qenë më lart se një ministër. Duhet të ketë qenë kryeministri, ndoshta?! Ai do të duhej të ishte!    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›