G20 nuk arrin objektiva të forta për neutralitetin e karbonit

Nuk do të ketë një datë të synuar për arritjen e neutralitetit të karbonit dhe as për përfundimin e prodhimit të energjisë me qymyr në marrëveshjen e përbashkët pas samitit të G20-s të këtij viti.
“Ne do të bëjmë çmos për të shmangur ndërtimin e kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë së qymyrit, duke marrë parasysh rrethanat kombëtare, me synimin për të përshpejtuar tranzicionin larg qymyrit, për të përmbushur afatet kohore në përputhje me qëllimet e Marrëveshjes së Parisit”, thuhet në një deklaratë, duke iu referuar një marrëveshjeje të vitit 2015 që angazhonte nënshkruesit të kufizonin emetimet e gazrave serrë.
Deklarata, gjithashtu, premton se anëtarët e G20-s do t’u përmbahen premtimeve për klimën, të bëra në Marrëveshjen e Parisit, por nuk cakton një afat për ta bërë këtë.
Mungesa e specifikës do të vijë si një zhgënjim për aktivistët mjedisorë, të cilët kishin shpresuar se anëtarët e G20-s do të jepnin një shembull dhe do të dërgonin një sinjal të fortë, ndërsa bëhen gati për konferencën për ndryshimet klimatike, që fillon sot në Glasgou, ku shtetet po mblidhen për të përmirësuar marrëveshjet e tyre të 2015-s.