E Diel, 1 Nëntor 2026

GAZA – 17 të vrarë pas sulmeve izraelite

RAFAH, 4 shkurt /ATSH-AFP/ – Sulmet e sotme izraelite mbi Rripin e Gazës kanë shkaktuar vdekjen e 17 personave, përfshirë tre fëmijë, njoftoi Mbrojtja Civile e territorit palestinez, pas një bilanci të ri.

Më herët, ushtria izraelite kishte bërë të ditur se kishte kryer sulme, pas të shtënave ndaj ushtarëve të saj, të cilat kanë plagosur rëndë një oficer.

Sipas ushtrisë, incidenti ndodhi në Rripin verior të Gazës, pranë Vijës së Verdhë, e cila shënon tërheqjen e ushtrisë izraelite nga afërsisht gjysma e territorit, si pjesë e fazës së parë të planit të Donald Trump për t’i dhënë fund luftës përfundimisht.

Të shtunën, sulmet ajrore izraelite vranë 32 persona, sipas Mbrojtjes Civile, ndërsa ushtria izraelite pretendoi se kreu bombardime në përgjigje të shkeljeve të armëpushimit.

Sulmet e së mërkurës ndodhin dy ditë pas rihapjes shumë të pjesshme të pikës kufitare të Rafah me Egjiptin, e cila lejoi disa dhjetëra palestinezë të kalonin nga Gaza në të dy drejtimet.

I dërguari amerikan Steve Witkoff, i cili kishte ushtruar presion mbi Izraelin për të lejuar rihapjen, u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Jerusalem të martën./ /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›