GAZA – Njëzet e dy të vdekur pas sulmeve izraelite kundër Hamasit

TEL AVIV, 19 nëntor /ATSH-AFP/ – Mbrojtja Civile e Rripit të Gazës njoftoi sot se 22 persona kanë vdekur nga bombardimet izraelite në të gjithë territorin, ku Izraeli tha se po kryente sulme kundër Hamasit, të prezantuara si një hakmarrje ndaj sulmeve kundër ushtarëve të tij, në shkelje të armëpushimit.
”Sulmet izraelite shkaktuan 12 të vdekur në qytetin e Gazës, përfshirë një çift me tre fëmijët e tyre”, sipas Mbrojtjes Civile, një organizatë e ndihmës së parë që operon nën autoritetin e Hamasit.
Zëdhënësi i saj, Mahmoud Bassal, u shfaq në një video duke treguar trupat e tre fëmijëve të vegjël të mbuluar me çarçaf.
U njoftuan gjithashtu për 10 të vdekur në rajonin e Khan Younes (jug i Rripit të Gazës), përfshirë dy të mitur, të cilëve nuk iu bë e ditur mosha.
Forcat izraelite kishin akuzuar më parë se “disa terroristë hapën zjarr të mërkurën në drejtim të zonës ku ushtarët tanë po operonin në Khan Younes”.
Një armëpushim i brishtë, i shoqëruar tashmë nga disa shpërthime dhune, është në fuqi në Gaza që nga 10 tetori, në bazë të një marrëveshje të negociuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës./ /Ad.Ab./