GAZA – Të paktën 17 të vrarë në sulmet e reja izraelite

GAZA, 2 janar /ATSH-DPA/ – Shtatëmbëdhjetë persona u vranë dhe të tjerë u plagosën në sulmet e reja izraelite në Rripin e Gazës, raportuan mediat palestineze.
Midis tyre, 15 persona, përfshirë fëmijë, vdiqën nga bombardimi i një ndërtese banimi në veri të Jabaliya, sipas agjencisë së lajmeve WAFA.
Dy persona të tjerë u vranë kur një ndërtesë në Al-Bureij, në pjesën qendrore të rajonit bregdetar, u bombardua. Fillimisht, informacioni nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.
Si zakonisht, ushtria theksoi se po lufton kundër grupit islamik palestinez Hamas në Rripin e Gazës dhe po bën gjithçka që është e mundur për të shmangur viktimat civile.
Sipas raporteve palestineze, më shumë se 45 500 njerëz janë vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës me masakrën e udhëhequr nga Hamasi i rreth 1 200 njerëzve në Izrael më 7 tetor 2023. /os/