GAZË – Hamasi liron gjashtë pengje izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë

TEL AVIV/GAZË, 22 shkurt /ATSH-DPA/- Grupi ekstremist palestinez Hamas liroi sot gjashtë pengje të tjerë, me qindra të burgosur palestinezë që do të lirohen nga burgjet izraelite në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit.
Gjashtë pengjet iu dorëzuan Kryqit të Kuq në pjesë të ndryshme të Gazës, ndërsa 40-vjeçari Tal Shoham dhe Avera Mengistu, 39 vjeç, u liruan fillimisht në qytetin, Rafah.
Omer Shem-Tov, Eliya Cohen dhe Omer Wenkert, të gjithë në të 20-at, iu dorëzuan më pas përfaqësuesve të Kryqit të Kuq në kampin e refugjatëve Nuseirat, në Gazën qendrore.
Luftëtarët e maskuar dhe të armatosur të Hamasit ishin të pranishëm në të dy rastet e dorëzimit, të cilat u transmetuan drejtpërdrejt në televizion në Izrael dhe në botën arabe.
Me sa duket, pengjeve iu tha të buzëqeshnin dhe t’i bënin me dorë turmave që ishin mbledhur mes ndërtesave të shkatërruara gjatë më shumë se 16 muajve të luftës.
Një përfaqësues i Kryqit të Kuq u detyrua të nënshkruante dokumentet e dorëzimit në të dyja rastet ndërsa luhej një muzike me volum të lartë.
Pengu i fundit i liruar sot ishte Hisham al-Sayed, 36 vjeç, i liruar në qytetin e Gazës pas gati 10 vjetësh në robëri.
Sipas transmetuesit “Al Jazeera”, Hamasi vendosi të mos tregojë dorëzimin e tij pasi ai është një izraelit arab.
“Në këmbim të lirimit të pengjeve, Izraeli do të lirojë 602 të burgosur palestinezë, duke përfshirë 50 që vuajnë dënimin me burg të përjetshëm”, sipas informacioneve palestineze. //a.i/