E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

GAZË – Të paktën 30 të vrarë pas sulmeve të fundit izraelite

TEL AVIV, 22 dhjetor /ATSH-DPA/- Rreth 30 persona janë vrarë në sulmet e fundit izraelite në Rripin e Gazës, raportuan sot mediet palestineze.

“Avionët luftarakë izraelitë sulmuan një ish-ndërtesë shkolle në lagjen al-Daraj në qytetin e Gazës, ku njerëzit e zhvendosur ishin strehuar”, njoftoi agjencia palestineze e lajmeve WAFA.

“Të paktën tetë persona vdiqën për shkak të sulmit”, tha WAFA.

“Ushtria izraelite tha se kishte kryer një sulm ndaj terroristëve të Hamasit që po vepronin brenda një qendre komandimi dhe kontrolli në zonën e Daraj Tuffah.

“Sulmi ndodhi gjatë natës”, tha WAFA.

WAFA raportoi gjithashtu një sulm ajror që kishte shënjestruar një automjet në qytetin e Gazës, në të cilin u vranë katër palestinezë.

Agjencia palestineze e lajmeve tha se 16 persona të tjerë ishin vrarë gjatë sulmit në qendër dhe në jug të Rripit të Gazës.

WAFA raportoi se forcat izraelite po vazhdonin të shkatërronin ndërtesat e banimit në zonën veriore të kampit të refugjatëve Nuseirat, në Gazën qendrore, duke shtuar se bombardimet ishin të rënda në të gjithë rajonin.

Sipas burimeve palestineze, më shumë se 45 200 njerëz janë vrarë që nga fillimi i luftës në Gazë – pas sulmit të 7 tetorit 2023 të iniciuar nga lëvizja militante palestineze Hamas.

Sulmi shkaktoi vdekjen e 1200 personave dhe rrëmbimin e më shumë se 250 personave të tjerë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›