GAZË – Të paktën 71 të vrarë dhe qindra të plagosur pas sulmit izraelit në kampin e refugjatëve

GAZË, 13 korrik /ATSH-DPA/- Mjekët palestinezë raportuan se të paktën 71 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi ajror izraelit në një kamp refugjatësh në Gazën jugore.
Autoritetet shëndetësore të kontrolluara nga Hamasi në Gazë thanë sot se të paktën 289 persona ishin plagosur gjatë sulmit në kampin Al-Mawasi.
Mediat izraelite raportuan se objektivi i sulmit ishte Mohammed Deif, udhëheqësi i krahut ushtarak të Hamasit në Gazë. Është e paqartë nëse Deif është goditur ndërsa ushtria izraelite nuk ka bërë asnjë koment.
Ministria e Jashtme izraelite tha se ishte duke hetuar sulmin ajror – ndërsa shtoi se duke pasur parasysh zhvillimet në Gazë, ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant kishte kryer një vlerësim të situatës operacionale së bashku me shefat ushtarakë dhe të shërbimeve sekrete.
Një nga synimet qendrore të Izraelit në konfliktin aktual është kapja ose vrasja e Deifit dhe liderit të Hamasit në Rripin e Gazës, Yehya al-Sinwar. Udhëheqësi i tretë më i vjetër i Hamasit në Gazë, Marwan Issa, thuhet se u vra në mars.
Sipas agjencisë palestineze të lajmeve Wafa, ka pasur disa sulme të ashpra në Gazë sot në mëngjes. Stafi në Spitalin Nasser raportoi mungesë të shtretërve për të akomoduar numrin e madh të të plagosurve pas sulmeve.
Ushtria izraelite tha sot se operacionet po vazhdonin në të gjithë Rripin e Gazës, duke përfshirë edhe qytetin e Gazës. Në qytetin jugor të Rafahut, forcat izraelite kishin shkatërruar tunele të shumta dhe vrarë disa anëtarë të Hamasit. //a.i/