GJERMANI – Çmimi i naftës në nivel rekord

MYNIH, 21 mars /ATSH-DPA/- Çmimi i naftës (diesel) në Gjermani është rritur me më shumë se 12 cent brenda vetëm dy ditësh, një zhvillim që lidhet me luftën në Lindjen e Mesme, sipas të dhënave të Shoqatës Gjermane të Automobilëve (ADAC).
Të premten, çmimi mesatar kombëtar për një litër naftë arriti 2,291 euro – vetëm 3 cent më pak se rekordi historik i regjistruar katër vite më parë pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.
Edhe çmimi i benzinës “E10 premium” vazhdoi të rritej, duke arritur në 2,086 euro për litër, 4,2 cent më shumë se të mërkurën.
Krahasuar me ditën para fillimit të konfliktit midis SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, një litër naftë është 54,5 cent më i shtrenjtë, ndërsa një litër benzinë 30,8 cent më shumë.
Rritja e çmimeve është nxitur kryesisht nga çmimet më të larta të naftës që lidhen me luftën, megjithëse kompanitë e naftës janë kritikuar për rritjet e tepruara që nuk korrespondojnë me koston reale të naftës.
Të dhënat e para për ditën e sotme tregojnë një rritje të lehtë të çmimit të naftës dhe stabilitet relativ për benzinën “E10 premium”, megjithatë, rritja e fundit e bën parashikimin afatshkurtër, jashtëzakonisht të pasigurt. //a.i/