E Diel, 1 Nëntor 2026

GJERMANI – Lula kritikon SHBA-në: Lufta ndaj Iranit një “çmenduri”

HANOVER, 20 prill /ATSH-DPA/- Presidenti brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva ka kritikuar ashpër SHBA-në për luftën në Iran, në fjalimin hapës në panairin e madh tregtar në Gjermani, “Hannover Messe 2026”.

“Po dëshmojmë një moment kritik në gjeopolitikën globale, të shënuar nga paradokse të mëdha. Ndërsa astronautët po fluturojnë për në Hënë, gratë dhe fëmijët po vriten pa dallim nga bombardimet në Lindjen e Mesme”, tha Lula në ceremoninë e hapjes së panairit tregtar, në Gjermaninë veriore dje në mbrëmje.

Duke e përshkruar luftën kundër Iranit një “çmenduri”, Lula tha se ishte e papranueshme në shekullin XXI, që uria, analfabetizmi dhe mungesa e aksesit në energji elektrike të mbeten çështje të pazgjidhura për miliarda njerëz, ndërsa në të njëjtën kohë 2,7 trilionë dollarë po shpenzohen për luftëra.

Udhëheqësi 80-vjeçar bëri thirrje që teknologjitë moderne të përdoren jo për luftëra, por për një botë më të qëndrueshme dhe të sigurt.

Lula nuk kritikoi vetëm SHBA-në, por të pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – që përfshin gjithashtu Rusinë, Kinën, Francën dhe Britaninë e Madhe.

“Ky organ ishte krijuar për të siguruar paqen dhe për të parandaluar një përsëritje të Luftës së Dytë Botërore”, tha Lula.

“Në vend të kësaj, bota sot po përjeton më shumë konflikte se në çdo kohë, që nga viti 1945, duke akuzuar ata që janë në pushtet se rrinë duarkryq”, tha ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›