E Diel, 1 Nëntor 2026

GJERMANI – Pistorius: Nevojitet tranzicion i rregullt ndërsa SHBA-ja planifikon shkurtime ushtarake në Evropë

BERLIN, 22 qershor /ATSH-DPA/- Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius ka bërë thirrje për marrëveshje të qarta mbi planet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të reduktuar angazhimet e tyre ushtarake në Evropë, duke paralajmëruar se një tërheqje e paorganizuar, mund të krijojë boshllëqe të rrezikshme në kapacitetet mbrojtëse.

Duke folur sot gjatë një vizite në Lituani, pas takimit me homologun e tij, Robertas Kaunas në qytetin Pabradė, Pistorius theksoi se nevojitet një tranzicion i koordinuar.

“Nevojitet një tranzicion i rregullt. Sepse askush – përfshirë amerikanët – nuk mund të ketë interes në krijimin e boshllëqeve të rrezikshme të kapaciteteve, që nuk mund të zëvendësohen shpejt, si pasojë e një tërheqjeje të paorganizuar”, tha ministri gjerman.

Ai përsëriti thirrjen e tij për një “udhërrëfyes” të qartë mbi mënyrën, se si do të zbatohet reduktimi i pranisë amerikane në kontinent.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë të ulin kapacitetet ushtarake, që mbajnë në gatishmëri, për parandalim dhe mbrojtje nën komandën e NATO-s, në kuadër të modelit të forcave të Aleancës, i cili përcakton nivelin e gatishmërisë së trupave dhe pajisjeve të vendeve anëtare.

Pistorius theksoi se ky vendim nuk përbën një surprizë dhe është i pranueshëm, por shtoi se Gjermania dhe vendet evropiane të NATO-s, duhet të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen konvencionale të Evropës.

Megjithatë, ai nënvizoi se planet e SHBA-së nuk nënkuptojnë tërheqje të menjëhershme të kapaciteteve, që do të jenë të padisponueshme për mbrojtjen kolektive të territorit të Aleancës, në rast emergjence. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›