E Diel, 1 Nëntor 2026

GJERMANI – Rritet sërish çmimi i karburantit pavarësisht uljes së taksës

MYNIH, 5 tetor /ATSH-DPA/- Vetëm pak ditë pasi në Gjermani hyri në fuqi ulja e taksës për karburantet, çmimet e naftës dhe gazit në të gjithë vendin janë stabilizuar.

Shoqata gjermane e automobilistëve ADAC raportoi sot se çmimi mesatar dje në të gjithë vendin për një litër benzinë “Super E10” ishte 2,137 euro.

Ky çmim ishte 2,3 cent më i lartë se të enjten. Për naftën (diesel), çmimi ishte 2,253 euro për litër, ose 0,9 cent më shumë.

Ulja e taksave mbi energjinë, e cila do të zgjasë tre muaj, hyri në fuqi javën e kaluar.

Qëllimi është të lehtësojë shpenzimet e drejtuesve të automjeteve, pasi çmimi i karburantit shënoi rritje të madhe, pas fillimit të luftës në Iran.

ADAC tha se kjo do të thotë se një pjesë e kursimit që qytetarët përfituan fillimisht, nga ulja e taksës është zhdukur tashmë, vetëm pak ditë më vonë.

Sipas shoqatës, ulja e taksës solli një rënie të ndjeshme të çmimeve të karburanteve, por efekti i kësaj uljeje po fillon të zbehet.

Për momentin, nuk ka një shpjegim të qartë për rritjen e çmimit të benzinës “Super E10”, pasi çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar dhe kursi i këmbimit euro-dollar kanë ndryshuar shumë pak.

Për këtë arsye, ADAC tha se nga këndvështrimi i konsumatorëve, rritja e re e çmimeve është e vështirë për t’u kuptuar.

Vetëm pak orë pas hyrjes në fuqi të uljes së taksës, benzina “Super E10” shitej për më pak se 2 euro litri në shumë pika karburanti. Por sot në mëngjes, nuk kishte më pika karburanti që ta shisnin me më pak se 2 euro.

Është e vështirë të përcaktohet se sa nga ulja e taksës prej 16,7 centësh për litër po përfundon realisht në xhepat e konsumatorëve.

Shoqata e industrisë së karburanteve “En2X” ka deklaruar vazhdimisht se e gjithë ulja e taksës do t’u përcillet konsumatorëve, çmimet duhet të ulen me të gjithë shumën e uljes së taksës.

Por, organizatat për mbrojtjen e konsumatorëve dhe studiuesit e ekonomisë kanë arritur në përfundimin e kundërt.

Sipas tyre, nuk është e sigurt që e gjithë ulja e taksës, po reflektohet në çmimin që paguajnë qytetarët. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›