E Enjte, 5 Nëntor 2026

GJERMANI – Scholz: Ribashkimi i kombit ka përparuar ndjeshëm, por ka ende mangësi

GJERMANI, 3 tetor /ATSH-DPA/- Ribashkimi i kombit ka përparuar ndjeshëm në tre dekada që nga rënia e Murit të Berlinit, por duhet të pranojmë edhe mangësitë, tha sot kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë ceremonisë kombëtare për Ditën e Unitetit Gjerman – ndërsa Gjermania shënon 34 vjetorin e ribashkimit të saj – e organizuar në qytetin verior të Schwerin.

Çdo vit më 3 tetor, Gjermania shënon bashkimin e Gjermanisë Perëndimore dhe Gjermanisë Lindore komuniste në vitin 1990 – pas rënies së Murit të Berlinit.

Ndërsa ky moment historik ishte parashikuar prej kohësh në të dy anët e murit, kritikët thonë se Gjermania Perëndimore përfitoi më shumë ekonomikisht në procesin e ribashkimit që pasoi dhe pabarazitë mbeten edhe sot e kësaj dite.

“Megjithatë, duke pasur parasysh situatën në atë kohë, ne kemi bërë një rrugë të gjatë”, shtoi ai.

“Asnjë vend i krahasueshëm në botë nuk është përballur me një sfidë të ngjashme me Gjermaninë në dekadat e fundit”, tha Scholz.

“Konkretisht, ka qenë sfida e bashkimit të dy nën-shoqërive që ishin të ndara për më shumë se katër dekada – dhe të organizuara në mënyra krejtësisht të ndryshme – ekonomikisht, politikisht, kulturalisht dhe mendërisht”, tha kancelari gjerman.

Scholz gjithashtu pranoi se pasojat e mëtejshme negative.

“Për miliona gjermano-lindorë, trazirat e atëhershme nënkuptonin çlirimin dhe një fillim të ri. Por për miliona të tjerë, trazirat në vitet pas ribashkimit nënkuptonin një kolaps”, tha ai.

“Për shumë njerëz, e gjithë jeta e tyre ishte shembur, ishte një zhvlerësim i njohurive të tyre, përvojave të tyre, punës së tyre të jetës”, theksoi ai.

“Kjo është gjithashtu pjesë e historisë së Gjermanisë që nga viti 1990. Kjo nuk duhet të harrohet kurrë ose të fshihet”, tha Scholz.

Duke parë përpara, mes rritjes së së djathtës ekstreme, e cila ka arritur nivele historike të mbështetjes, Scholz paralajmëroi se duhej punë e vështirë për të luftuar ekstremizmin.

“Jo vetëm në Gjermaninë Lindore përjetohen zgjedhje shtetërore ku ndonjëherë deri në një e treta e votuesve zgjedhin një politikë autoritare dhe radikale kombëtare”, tha ai.

Populistët që luftojnë demokracinë liberale po dëmtojnë ekonominë, vendin dhe reputacionin e tij global. Do të duhet shumë punë për ta rekuperuar këtë”, tha kancelari gjerman. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›