GJERMANI – Ushtria vuan mungesën e trupave

BERLIN, 29 dhjetor /ATSH-DPA/ – Gjermania duhet të fokusohet në rekrutimin e personelit për forcat e saj të mbrojtjes, tha komisionerja parlamentare për forcat e armatosura të vendit.
Eva Hogl tha për dpa-në se vendi ka nevojë për rreth 20 000 ushtarë të tjerë për të arritur madhësinë e synuar prej 203 000 trupash.
Ajo tha se shumë pozicione të lira kanë mbetur të paplotësuara, duke shtuar se gatishmëria operacionale në njësi të shumta ishte vetëm rreth 50%.
“Kjo nuk mjafton”, tha Hogl duke shtuar ”veçanërisht duke pasur parasysh situatën e tensionuar të sigurisë pas luftës së Rusisë në Ukrainë”.
“Unë e konsideroj personelin si çështjen më të rëndësishme për vitin 2025”, theksoi ajo.
Ajo bëri thirrje gjithashtu për një përpjekje të re për të futur një shërbim të detyrueshëm ushtarak për të rinjtë dhe të rejat.
“Situata e personelit duhet të jetë prioriteti më i lartë për të gjithë ata që janë përgjegjës për politikën”, shtoi Hogl.
Në fillim të këtij viti, Hogl paralajmëroi në raportin e saj vjetor se ushtria gjermane po plakej dhe po tkurrej./ a.jor.