GJERMANI – Wadephul minimizon kritikat e Trump ndaj Merz

BERLIN, 1 maj /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ka deklaruar se marrëdhëniet transatlantike mbeten të qëndrueshme, pavarësisht sulmeve të fundit verbale nga presidenti amerikan Donald Trump.
Në një intervistë për gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Wadephul tha se, bazuar në përvojën e tij me administratën amerikane, nga Departamenti i Shtetit deri te strukturat e NATO-s, aleanca mes Evropës dhe SHBA-së vazhdon të jetë e fortë. Sipas tij, bashkëpunimi ndërmjet palëve mbetet i qëndrueshëm edhe në momente tensioni politik.
Ministri gjerman mbrojti gjithashtu kancelarin Friedrich Merz përballë kritikave të Trump, i cili ishte shprehur i indinjuar ndaj komenteve të Merz për luftën me Iranin.
Wadephul theksoi se paralajmërimi i kancelarit ishte drejtuar qartë ndaj Iranit, duke i bërë thirrje që të mos e teprojë dhe të mos provokojë më tej SHBA-në.
Ai shtoi se udhëheqja iraniane do të ishte e mençur të pranonte sa më shpejt ofertën amerikane për negociata.
Këto deklarata vijnë pas komenteve të mëhershme të Merz, i cili kishte kritikuar SHBA-në gjatë një diskutimi me nxënës në Marsberg, duke thënë se Uashingtoni kishte hyrë në konflikt pa një strategji të qartë.
Duke iu referuar negociatave të ngecura për paqen me Iranin, Merz kishte deklaruar gjithashtu se një vend i tërë po poshtërohej nga udhëheqja iraniane. Këto komente shkaktuan reagim të ashpër nga Trump, i cili madje kërcënoi me reduktimin e numrit të trupave amerikane në Gjermani.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump kritikoi drejtpërdrejt kancelarin gjerman, duke thënë se ai duhet të fokusohet më shumë në përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, ku sipas tij kishte qenë i paefektshëm.
Megjithatë, Wadephul siguroi se Gjermania vazhdon të koordinohet ngushtë me SHBA-në. Ai theksoi se pala amerikane e vlerëson rolin e Berlinit dhe e konsideron Gjermaninë një partner të besueshëm në kohë nevoje. /Ad.Ab./