E Diel, 1 Nëntor 2026

GJIROKASTER/ Kreu i Antikorrupsionit lirohet nga Gjykata

GJIROKASTER – Kreu i Antikorrupsionit në Policinë e Gjirokastrës lihet i lirë nga Gjykata. Seanca e djeshme gjyqësore për të vlerësuar masën e arrestit ndaj Miklovan Kararajt dhe faktet e parashtruara nga organi i akuzës, është mbyllur me heqjen e prangave ndaj 26-vjeçarit. Gjithçka ka ndodhur brenda 40 minutave dhe në fund, Miklovan Kararaj ka marrë masën e detyrimit për paraqitje një herë në javë në organin e akuzës së Gjirokastrës, për veprën penale të korrupsionit pasiv.  Përfaqësuesi ligjor i shefit të Antikorrupsionit të Gjirokastrës ka paraqitur në seancën gjyqësore argumente që nuk e përfshinin drejtpërsëdrejt klientin e tij në mitmarrje apo të jetë konsumues i veprës penale të ngritur nga organi i akuzës së Gjirokastrës. Ndërsa prokurori i çështjes është mbështetur plotësisht mbi provat e servirura nga ana e SHKB-së dhe të tjera që për të ishin të mjaftueshme, për ta lënë pas hekurave të qelisë Kararajn. Sipas tij, shefi i Antikorrupsionit, tashmë i pezulluar nga radhët e Policisë së Gjirokastrës, është i implikuar në marrjen e 10 mijë eurove, grosistit të ilaçeve. Fjalën e fundit e pati trupi gjykues, i cili për shkak të pozicionit publik të të riut, e la atë në detyrim paraqitjeje. p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›