GJKKO dënon me 12 vite burg Astrit Avdylin, do të dërgohet në burg të sigurisë së lartë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë
Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Astrit
Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani)”.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të
gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me
trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Rudina Palloj dhe Elsa Ulliri, me vendimin
nr. 13, datë 11.02.2026 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, paragrafi parë, 28/4 dhe në lidhje me nenin 334, paragrafi parë të K.Penal dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi dytë, të K.Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 të K.Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
4. Në bashkim të dënimeve, sipas nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli alias Sulejmani), përfundimisht me 12 (dymbëdhjetë) vite burgim.
5. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), të fillojë nga dita e arrestimit të tij, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
6. Bazuar në nenin 190, pika 1, shkronja “a” të K.Pr.Penale, në lidhje edhe me nenin 36, pika 1, shkronja “a” të K.Penal, prova materiale e sekuestruar, arma pistoletë, me mbishkrimin WALTER-P.P.Q-Made in Germany, me numër ****, të kalojë në favor të shtetit.
Kush është Astrit Avdylaj?
Astrit Avdylaj, kreu i bandës së Shijakut, i cili aktualisht ndodhet në burg në kuadër të operacionit Revanshi, u arrestua më 29 qershor 2024, me urdhër të SPAK, pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin “Sky ECC”.
Avdylaj u arrestua 1 muaj pas operacionit Revanshi dhe u kap në vilën e tij në Shijak me pistoletën e mbushur. Ndaj tij rëndojnë 3 akuza për këtë çështje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale per te kryer vrasje””, Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar.”
Nga zbardhja e komunikimeve në aplikacionin SKY ECC, Avdyli bashkëpunonte dhe thurte plane me grupin e ish-deputetit socialist Arben Noka dhe grupin e Ervis Martinaj për të ekzekutuar Durim Bamin.
Arben Ndoka dyshonte se Durim Bami kishte marrë pjesë në vrasjen e vëllait të tij, Aleksandër Ndoka ndërsa Martinaj dyshonte se ai bashkëpunonte me kundërshtarët e tij, Indrit Dokle e Leonard Duka.
Për kokën e Durim Bamit në ndihmë të Ervis Martinaj e Arben Ndokës shkoi dhe Emiljano Shullazi dhe Astrit Avdyli të cilët ndodheshin atëkohë në qeli.
Avdylajt në Shijak u bënë me emër që në vitet 90′. Në 1996-ën është vrarë me armë zjarri Dritan Avdyli, kushëriri i parë i Astrit Avdylit. Ky i fundit, i dënuar më parë për prostitucion në Itali mori hak në 1997 duke vrarë në qendër të Shijakut personin që nxori në pritë Dritanin.
Ai i kishte vendosur një gjobë biznesmenit Tefik Hyka, pronari i fabrikës së tullave në Vlorë. Dritan Avdyli u telefonua nga një bashkëpunëtor shijakas i Tefik Hykës për të shkuar në zonën e “Katër Rrugëve të Shijakut” për të marrë gjobën që kishte vënë, por në momentin që bashkë me shokun arrin në lokal goditet me breshëri plumbash. Hakmarrja nuk u ndal me kaq, pasi vëllai i Astritit, Shkëlqimi vrau në Tiranë, Durim Kusin, i njohur si vrasës me pagesë. Pas Astritit, në role të tjera, janë edhe familjarët Jasmin, Flamur , Altin.
Astrit Avdyli u lirua 3 vite para se të mbaronte dënimin pasi u ekzaminua me “depresion dhe tentativa vetëvrasëse”. I dënuar me 16 vjet burg për vrasje, Avdyli për 10 vjet rresht kërkoi lirim të parakohshëm nga burgu i Shënkollit-dhe në fund e fitoi, pasi siguroi më parë një raport mjekësor që e diagnostikonte atë me “depresion endogjen me tentativa vetëvrasëse”.
Ai doli nga burgu më 2 mars 2016. Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e tij me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”. Jo shumë më vonë, Avdyli do të hetohej për trafikun e drogërave të forta. Me origjinë çame, Astriti, në rrethin e zonës, njihet si I ‘Urti”, pasi punët I zgjidhte me bisedime.
Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri me qindra orë përgjime dhe ndërroi tre grupe prokurorësh, dhe në 2018 ngriti akuza për 44 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, korrupsion, ushtrim ndikimi të paligjshëm apo falsifikime masive me pronat.
Astrit Avdylaj është liruar nga qelia e paraburgimit dy vite pas arrestimit të bujshëm, në korrik 2021 dhe përfundoi në ‘arrest në shtëpi’.
Media gjermane “Bild” publikoi biseda të tij dhe me ish-kreun e Bashkisë Durrës, Vangjush Dako ku flitej për sigurimin e votave në zgjedhjet e 2017. Por, ai ra sërish në pranga në 2024 për operacionin Revanshi.