E Diel, 1 Nëntor 2026

GJKKO dënon me 12 vite burg Astrit Balliun (Avdylin), fajtor për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtor ditën e sotme Astrit Balliun, i njohur ndryshe edhe me mbiemrat Avdyli ose Sulejmani, duke e dënuar atë përfundimisht me 12 vite burgim.

Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Rudina Palloj dhe Elsa Ulliri, e gjeti të pandehurin fajtor për një sërë veprash të rënda penale, ku kryesorja është trafikimi i narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Detajet e dënimit

Sipas vendimit, gjykata dha dënime të veçanta për secilën akuzë, të cilat u bashkuan në një dënim të vetëm sipas nenit 55 të Kodit Penal:

12 vite burgim për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e gupit të strukturuar kriminal.

3 vite burgim për pjesëmarrje në “Grup të strukturuar kriminal”.

5 vite burgim për “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Në përfundim, pas bashkimit të dënimeve, Balliu do të vuajë 12 vite heqje lirie.

Vuajtja e dënimit dhe provat

GJKKO ka urdhëruar që vuajtja e dënimit të nisë nga dita e arrestimit të tij dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Gjithashtu, gjykata vendosi konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të provës materiale, një pistoletë e markës “WALTER-P.P.Q”, prodhim gjerman.

Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë të bëjnë ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditëve nga komunikimi i vendimit të arsyetuar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›