E Martë, 3 Nëntor 2026

GJKKO jep vendimin: Sali Berisha në arrest shtëpie, policia i qëndron te dera

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka vendosur arrest shtëpie për ish-kryeministrin Sali Berisha. GJKKO ka miratuar kërkesën e SPAK për arrest në shtëpi të Berishës, dhe ka qenë gjyqtarja Irena Gjoka e cila shpalli sot vendimin.

Duke nisur që nga dita e sotme, Berisha do të qëndrojë në arrest shtëpie me mbikëqyrje policore.

Ky vendim vjen pasi SPAK mori autorizimin e Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit Berisha teksa më parë Struktura e Posaçme kishte kërkuar detyrim paraqitje gjë e cila nuk u zbatua nga Berisha duke bërë që të shkohet në një masë më të fortë, atë të masës arrest në shtëpi.

Gjithashtu, në vendim theksohet se Berisha nuk duhet të largohet nga banesa e tij në rrugën “ Mustafa Matohiti” dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të.

“Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të”, thuhet në vendim ndërsa saktëson se do të mbikëqyret nga punonjësit e policisë.

“Mbikëqyrja e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si dhe urdhërimeve të përcaktuara në këtë vendim të kontrollohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, theksohet më tej në vendim.

Shkurtim Vendimi – Zevedesi… by Rtsh Faqe

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në rastin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani dhe se përmes këtij privatizimi ai ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi (i cili ndodhet në arrest shtëpie) përgjatë viteve 2005-2013, kur ushtronte detyrën si kryeministër i vendit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›